Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hajrulla Çeku tregon se pse është zvogëluar buxheti i federatave sportive

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në KALLXOPernime, ka treguar se pse është zvogëluar buxheti i federatave sportive për vitin 2021.

Çeku ka treguar se buxheti është zvogëluar për shkak të pandemisë COVID-19.

“Sepse ka ndodh pandemia, domethënë gjithçka u shkurtu në Kosovë është buxhet i solidaritetit ne kemi gjithçka më pak sot, prandaj edhe federatat kanë më pak. Edhe Federatës së xhudos, ne do të bëjmë maksimumin për t’i ndalë në ndihmë Federatës së Xhudos, qoftë përmes ndërtimit të qendrës së xhudos”, ka thënë Hajrullah Çeku.

Ministri Çeku ka treguar se e ka bërë pagesën e parë për qendrën nacionale të xhudos.

“As pagesa e parë nuk iu është bërë objektit i cili është gati në përfundim, e kemi kry pagesën e parë, do ta kryejmë pagesën e dytë shumë shpejtë, mbyllet ajo çështje e kemi qendrën e xhudos”, ka thënë Çeku.

Ai ka treguar se federatat sportive e kanë mirëkuptuar ministrinë për shkurtimin e buxhetit për këtë vit.

“Memorandumet që i kemi nënshkru me federatat, ajo nuk është shumë finale, por janë mundësitë buxhetore aktuale në këtë buxhet të krizës nga pandemia. Edhe gjatë këtij viti në pjesën e dytë pas rishikimit të buxhetit dhe pas rritjes ekonomike dhe rritjes së inkasimit të hyrave të buxhetit ne mund të kemi mundësi shtesë për t’i rritë subvencionet për federatat, këtë ia kemi thënë edhe unë i falënderona publikisht që e kanë mirëkuptu ministrinë. Nuk ka revoltë, absolutisht jo, ka mirëkuptim dhe ka solidarizim”, ka treguar Hajrulla Çeku.