KQZ jep detaje rreth sulmit në Kçiq të Madh

Komisioni Qendror Zgjedhor ka dhënë detaje nga sulmi që ka ndodhur në qendrën e votimit Kçiq të Madh të Mitrovicës.

Sipas KQZ-së, në këtë incident, që ka ndodhur rreth orës 16:00, është sulmuar fizikisht zyrtari i tavolinës ndihmëse.

“Një qytetar ka sulmuar fizikisht zyrtarin e tavolinës ndihmëse, në shkollën ” Bislim Imeri ” i cili është dërguar për trajtim mjekësor në spital. Ngjarja është raportuar në ora 16:08”, njofton KQZ.

Lidhur me këtë rast, prokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Njazi Rexha, tha për KALLXO.com se janë arrestuar 3 persona.

“Po ka ndodh një incident ne fshatin Kçiq i Madh me ç’rast është sulmuar një komisioner. Për këtë rast janë arrestuar tre persona”, ka thënë prokurori Rexha.

Prokuroria: 3 të arrestuar për sulmin fizik ndaj komisionerit në Mitrovicë

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.“LDK dënon ashpër sulmin brutal nga aktivistët e PDK-së, kundër Fidan Kamberit, arsimtarit të shkollës fillore “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti konfirmon se Fidan Kamberi është vëllai i kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.

“Fidan Kamberi ka qenë i angazhuar nga shkolla “Bislim Imeri” për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Nga sulmi brutal, ai ka marrë lëndime serioze dhe po trajtohet në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës”, thuhet tutje në reagimin.