Prokuroria: 3 të arrestuar për sulmin fizik ndaj komisionerit në Mitrovicë

Tre persona janë arrestuar në fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës nën dyshimin se kanë sulmuar një komisioner zgjedhor.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Njazi Rexha, prokuror i Prokurorisë së Mitrovicës.

“Po ka ndodh një incident ne fshatin Kçiq i Madh me ç’rast është sulmuar një komisioner. Për këtë rast janë arrestuar tre persona”, ka thënë prokurori Rexha.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“LDK dënon ashpër sulmin brutal nga aktivistët e PDK-së, kundër Fidan Kamberit, arsimtarit të shkollës fillore “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo partia konfirmon se Fidan Kamberi është vëllai i kryetarit të Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.

“Fidan Kamberi ka qenë i angazhuar nga shkolla “Bislim Imeri” për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Nga sulmi brutal, ai ka marrë lëndime serioze dhe po trajtohet në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës”, thuhet tutje në reagimin.

“LDK-ja kërkon nga organet kompetente kapjen sa më të shpejtë të autorëve të këtij sulmi dhe ndriçimin e motivit të tij. LDK-ja kërkon nga subjektet garuese të ndikojnë për parandalimin e sulmeve të tilla”, thuhet në njoftimin e LDK-së.