VV: Shpend Ahmeti i është bashkuar karvanit të punësimeve në ‘Termokos’

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një konference për media të mbajtur para objektit të Ndërmarrjes Publike ‘Termokos’, akuzoi për punësime partiake ish-Kryeshefin ekzekutiv të Termokosit, Naser Canolli.

“Sot jemi këtu që të denoncojmë punësimet që janë bërë në ndërmarrjen Termokos, punësime këto që kryesisht janë bërë nga ish Kryeshefi Ekzekutiv, Naser Canolli e që lidhen kryesisht me familjarë të tij e me njerëz të PDK-së dhe ShIK-ut”, tha Valdrin Ahmeti, sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje në qendrën e Prishtinës.

Para mediave, Ahmeti lexoi edhe disa emra, që sipas tij janë të punësuar në ‘Termokos’ e që kanë lidhje me ish-Kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje.

Arben Canolli – Djali i vëllait të K.E.-së, Naser Canollit, Maliq Hyseni – Djali i motrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli, Përparim Fazliu – Djali i motrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli, Ares Ergini – Djali i gruas së Lirak Çelajt, Kastriot Fazliu – Djali i axhës së Përparim Fazliut, Vigan Çitaku – djali i Ylber Çitakut, ish-drejtor i instaluar nga PDK në Stacionin e Autobusëve, Artina Selmani – kunatë e aksionarit të PDK-së, Muhamet Selmani, Arbër Makolli – djali i vëllait të Xhemajl Makollit, drejtor administrativë në Termokos, Marigona Canolli – e afërm e Kryeshefit Ekzekutiv, Naser Canolli, Isak Berisha – dhëndër i Raif Vitija, drejtor i furnizimeve, ish-drejtor financiar dhe ushtrues detyre i KE-së, Enis Cakolli – familjar i Bujar Cakolli, sekretar i PDK-së në Prishtinë”, tha Valdrin Ahmeti nga Vetëvendosje.

Tutje ai, akuzoi kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti se po ndjek shembullin e PDK-së për punësime.

“Edhe pse qeverisja aktuale e Komunës e ka shumicën në asamblenë komunale, punësimet nuk kanë ndaluar, por përkundrazi edhe kryetari i është bashkuar karvanit të punësimeve në këtë ndërmarrje, duke ndjekur shembullin e PDK-së”, tha ai.

Sipas Ahmetit, një drejtor aktual në komunën e Prishtinës po mban dy pozita.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që para disa ditës u raportua që pikërisht në këtë ndërmarrje si drejtor financiar i ndërmarrjes u punësua drejtori Komunal i shërbimeve publike Ismajl Koka. Si arriti t’i bindë Shpendi PDK-në, që të arrijë ta vë në pozitën e drejtorit financiar, drejtorin e tij komunal? Sidomos tash kur dihet që me donacionet e shumta për zgjerim të rrjetit, sidomos ato të Komisionit Evropian, kjo pozitë është një nga pozitat më të rëndësishme për shpenzimin e fondeve nga kjo ndërmarrje publike”, tha ai.