Bajram Hamitaga

VIDEO- Lirimi i ish-prokurorit Bajram Hamitaga

Në Gjykatën Themelore në Gjilan sot është shpallur aktgjykimi në procesin gjyqësor ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, si dhe shoferit të kësaj Prokurorie, Luan Delili.

Ish prokurori Bajram Hamitaga dhe shoferi i prokurorisë Luan Delili janë liruar nga akuza në mungesë të provave.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Aziz Shaqiri gjatë këtij procesi gjyqësor pas administrimit të provave nuk është arritur të provohet se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

I pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishte prokurori Arben Ismajli e as i dëmtuari Granit Pacarizi.

Gjatë fjalës përfundimtare prokurori Arben Ismajli kishte kërkuar dënimin e Hamitagës dhe Delilit.

Njëjtë kishte kërkuar edhe i dëmtuari Granit Pacarizi i cili e kishte përkrahur fjalën e prokurorit dhe kishte deklaruar se sa i përket kërkesës pasurore-juridike, këtë do ta realizojë në kontest civil.

Ndërsa Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hamitaga, Elmi Qerimi, si dhe vetë i akuzuari Bajram Hamitaga i kishin propozuar Gjykatës që të bjerë vendim të drejtë dhe në mungesë të provave të njëjtin ta lirojë nga përgjegjësia penale për veprën për të cilën akuzohet.

Të njëjtin propozim e kishte bërë edhe i akuzuari i dytë, Luan Delili, së bashku me avokatin e tij, Fitim Shporta.

Në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohej për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

https://kallxo.com/lirohet-ish-prokurori-bajram-hamitaga/

I pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohej se me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Hamitaga dhe Delili janë deklaruar të pafajshëm në pretendimet e Prokurorisë.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi rastin ndaj ish- prokurorit Hamitaga.

Raportet nga ky proces mund t’i lexoni në këtë link.