Dëshmitari rrëfen se si u sollën inspektorët e akuzuar për mos marrjen e masave ndaj coronavirusit në Kamenicë

Inspektorët nga Kamenica Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përgjigjur në aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për mos marrjen e masave ndaj COVID-19.

Kujtojmë se në këtë rast tri seancat paraprake ajo e datës 12 shkurt, 23 mars dhe 04 qershor 2021, kishin dështuar të mbahen.

Në seancen e sotme u dëgjua dëshmitari Edonis Pireva, i cili ka qenë në kafiterinë në të cilën sipas Prokurororisë edhe është kryer vepra penale. Ai tha se në kafiterinë “In time”, ka qëndruar prej orës 20 në mbrëmje e deri sa ajo është mbyllur.

“Unë në atë lokal kam qenë me një shok timin, sipas mendimit tim distanca ka qenë e mbajtur sipas rekomandimeve, pra 2 metra distancë dhe të gjithë i kemi pasur maskat. Rreth ores 21:30 kanë ardhur inspektorët Enveri dhe Dobrivoja dhe kanë biseduar më duket me pronarin e lokalit dhe me kamarierat. Pas bisedes me ta i kanë larguar tri ulëse dhe mysafirët kanë filluar të dalin nga lokali. Pas diku 10 minutave ka ardhur edhe inspektori Naser dhe ka kontrolluar hapësirat e lokalit por ka pasur hapësirë të mjaftueshme për mbajtjen e distances”, tha dëshmitari Pireva.

Tutje dëshmitari tha se pasi kanë ardhur policia në vendin e ngjarjes nuk i ka parë asnjërin nga inspektorët duke biseduar me ta. Ai gjithashtu tha se i ka parë kamarierët duke i larguar disa tavolina nga lokali por nuk e din arsyen se pse ato tavolina janë larguar.

Pas propozimit të Prokurorit Shaban Spahiu, që në seancë të dëgjohen dy dëshmitarë-zyrtarë policorë të cilët kanë qenë në asistim të inspektorëve në kohën kur ka ndodhur rasti sipas Prokurorisë, seanca e sotme u shtye për 30 qershor.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 16 gusht 2020 si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, se në një lokal nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “COVID-19”, përkatësisht nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Sërish dështon seanca ndaj inspektorëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës