Seanca ndaj inspektorëve nga Kamenica të akuzuar për keqpërdorim detyre FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Dështon seanca ndaj inspektorëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Inspektorët nga Kamenica, Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën për keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për mos marrjen e masave ndaj COVID-19.

Megjithatë seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.

Kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri, tha se shkak për dështimin e seancës së sotme është mungesa e njërit nga anëtarët e trupit gjykues i cili për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 18 gusht 2020 si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, se në një lokal nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “COVID-19”, përkatësisht nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Seanca që dështoi të mbahet sot, u shty për datën 26 mars.

Inspektorët akuzohen për keqpërdorimit të detyrës zyrtare