Lirohen nga akuzat inspektorët nga Kamenica, akuzoheshin për mos marrjen e masave COVID-19
Inspektorët nga Kamenica Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, janë liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për mos marrjen e masave ndaj COVID-19.
Këtë vendim e ka marrë sot Gjykata e Gjilanit, pasi sipas Kryetarit të trupit Gjykues, gjykatësit Aziz Shaqiri, nuk ka prova të mjaftueshme se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.
Kujtojmë se në seancën e fundit, e kanë dhënë mbrojtjen e tyre të akuzuarit Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq. Kurse i akuzuari Enver Ismajli, ishte mbrojtur në heshtje.
I akuzuari Naser Vllasi, pati deklaruar se kur kishte hyrë në kafiterinë “In Time”, e njëjta ka qenë verandë, dhe nuk ka qenë hapësirë e mbyllur në pjesën ku kanë qenë konsumatorët.
“Kur kam arritur në atë verandë, distanca është respektuar mes tavolinave. Në natën kritike, më kishte thirrur inspektori Enver Ismajli (i akuzuar), për të dalur në vendngjarje. Procesverbalin, e kam nënshkruar, por nuk e kam lexuar, sepse i kam besuar inspektorit Ismajli”, pati thënë i akuzuari Vllasi.
I akuzuari Vllasi gjithashtu thoshte se kur kishte shkuar në kafiteri nuk kishte parë ndonjë parregullsi dhe se është respektuar vendimi i Qeveris për Covid-19. Kësisoj i akuzuari Vllasi nga Gjykata ka kërkuar që të lirohet nga akuzat.
I akuzuari Dobrivoje Milkoviq, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.
Sa i përket distancës me policët, i akuzuari ka thënë se distanca mes tyre si inspektorë dhe policëve ka qenë rreth 7-8 metra, dhe sipas tij asistenca e policisë ka qenë minimale. Kështu edhe i akuzuari Milkoviq, nga Gjykata pati kërkuar që të lirohet nga akuza e cila atë, sikurse dy inspektorët e tjerë, e ngarkonte me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 16 gusht 2020 si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Aktakuza sqaron se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, se në një lokal nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “COVID-19”, përkatësisht nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: