Dosja e Prokurorisë për inspektorët e akuzuar për mosmarrjen e masave anti-COVID-19

Inspektorët nga Kamenica, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me aktakuzën për keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për mos marrjen e masave ndaj COVID-19.

Njëri nga të akuzuarit për arsye shëndetësore nuk ishte prezent në seancë, kjo bëri që të dështoj mbajtja e kësaj seance gjyqësore.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 18 gusht 2020 si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Aktakuza sqaron se të akuzuarit kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, se në një lokal nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë “COVID-19”, përkatësisht nuk është mbajtur distanca sociale dhe në të kanë qenë të pranishëm mbi 50 persona.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar te lokali në fjalë por nuk kanë marrë asnjë veprim me arsyen kinse gjithçka në atë lokal është në rregull, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri, tha se shkak për dështimin e seancës së sotme është mungesa e njërit nga të akuzuarit i cili nuk është në seancë për shkak të problemeve shëndetësore.

“Unë si kryetar i trupit gjykues konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme gjyqësore”, tha gjykatësi Aziz Shaqiri.

Kujtojmë se edhe seanca e datës 12 shkurt në këtë rast kishte dështuar të mbahet.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK