VIDEO: Aksioni i policisë dhe prokurorisë pas vrasjes në Gjakovë
Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi dhe aksioni i prokurorisë dhe policisë në lidhje me ngjarjes e së martës mbrëma ku në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës u vra Tunë Bezhi e u plagos Anton Nikollaj.
Me të marrë informacionin policia dhe prokuroria dolën në vendin e ngjarjes.
“Bashkë me komandantin e stacionit policor jemi duke shkuar në fshatin Marmullë pasi që ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje”, tha Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes kryeprokurori merr informacionet e para nga hetimet e para.
“Ju njoftojmë se këtu kemi një rast vrasje dhe plagosje, identiteti i viktimës dhe të dyshuarit janë të njohur për ne. Vendi i ngjarjes është i siguruar, po presim edhe njësitë e tjera relevante të vijnë në vendin e ngjarjes”, janë informacionet e para që Kapiteni Bekim Preqi i jep kryeprokurorit Selimaj.
I dyshuari kishte vrarë Tunë Bezhin e kishte plagosur Anton Nikollaj dhe menjëherë pas veprimit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Kjo bëri që policia të angazhoj patrulla të policisë që të kapnin të dyshuarin.
“I dyshuari është arrestuar para disa momenteve, ndërsa i plagosuri dhe i vdekuri janë dërguar në spitalin e Gjakovës. Është thirrë edhe Mjekësia Ligjore për të kryer autopsinë ndaj të vdekurit”, tha Selimaj.