Lëndët narkotike të konfiskuara, Foto: Drejtësia në Kosovë

VIDEO - Si u zbuluan 140 kilogramë drogë në veturën e policit?

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmetoi pjesën e përfshirjes së një polici serb në rrjetin e trafikimit të substancave narkotike nga Shqipëria për në Serbi.

Njësia e Policisë së Antidrogës dhe Prokuroria Themelore e Pejës kishin marrë një informacion gjatë muajit shtator të këtij viti për një rrjet të trafikimit me narkotikë i lidhur mes Shqipërisë e Serbisë.

Për të bërë trafikimin me narkotikë, u përdorën disa makina të cilët bartnin sasi të mëdha të narkotikëve ndërsa të përfshirë në këtë skandal ishte edhe një polic serb.

Përderisa në qendër të Prishtinës po zhvillohej një protestë, e Presidenti Hashim Thaçi në po të njëjtën ditë kishte vendosur të vizitonte Liqenin e Ujmanit, grupi i trafikimit me narkotik kishte menduar se policia ishte fokusuar në këto dy ngjarje dhe rruga për të bërë transportin me narkotikë do të ishte e lehtë.

E kjo ide e grupit kriminal, nuk doli ashtu siç ishte menduar.

Në afërsi të qytetit të Istogut, në një pikë kontrolli policia ndaloi një makinë të dyshimtë.

Pamjet ekskluzive që transmetoi “Drejtësia në Kosovë” shihet deri sa ndalohet një veturë me rimorkio e cila dyshohej se po bartte drogë.

Prokurorja e rastit, Sahite Gashi, ka shpjeguar se çfarë po ndodhte me rastin.

“Jemi rrugës për në stacionin e Policisë së Istogut, nga të cilët njësiti për narkotikë kanë marrë informatë se janë ndaluar tre shtetas të Serbisë dhe tani të dyshuarit së bashku me automjetin me një rimorkio gjenden në stacion”, tha Gashi.

Policia kishte ndaluar veturën me targa të Serbisë, pasi ishte kualifikuar si e dyshimtë.

Tre të dyshuarit pas verifikimit dolën se janë shtetas të Serbisë ndërsa transportimin e drogës po tentonin ta bënin nga Shqipëria, drejt rrugëve të Mitrovicës për në kufi e më pas në Beograd.

Në pamjet ekskluzive mund të shihni se si policia gjatë kontrollit të makinës me rimorkio e cila ishte modifikuar, arrin të gjejë dhe konfiskoj një sasi prej 140 kilogramë drogë.

Detyra e policit ishte të ndihmonte grupin kriminal të barte narkotikët nga Shqipëria për në Beograd duke kaluar pengesat policore.

Më poshtë mund të ndiqni emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë”: