Azem Syla pasi i është dorëzuar Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Hetimi Special ndaj Azem Sylës

Edhe sot është duke u zhvilluar seanca e mundësisë së veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve.

Këto seanca ndaj Sylës dhe 52 personave të dyshuar për tjetërsim të ish-pronave shoqërore nisën në fund të muajit maj, ndërsa vetëm gjatë qershorit e korrikut ishin paraparë 20 seanca të tilla.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Megjithatë gjatë verës këto seanca disa herë u shtynë pasi Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit që po i organizon ato, mbeti pa mandat, derisa iu vazhdua deri në qershor 2018.

http://kallxo.com/shtyhen-seancat-speciale-ndaj-azem-syles/

Në njërën nga këto seanca, salla më e madhe e Pallatit të Drejtësisë nuk i zuri të gjithë të dyshuarit, avokatët e tyre dhe trupin gjykues, ndërsa atëherë u diskutua mundësia që seancat ose të mbahen në sallën e Ministrisë së Drejtësisë, ose të gjithë të akuzuarit të mos marrin pjesë në seancat speciale.

http://kallxo.com/edhe-sot-e-mbyllur-seanca-e-azem-syles/

ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, Ish-kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë Nuhi Uka dhe 50 persona tjerë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq u arrestuan në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.

Nga atëherë e deri më 25 gusht Azem Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha qëndruan në paraburgim.

http://kallxo.com/azem-syla-lirohet-nga-paraburgimi/