Foto: TV21

Valdete Daka Komenton për Vëzhguesit e Politikës të Mbledhur në OJQ

Lidhur me fshehjen e asamblistëve të PDK-së e AAK-së si vëzhgues nën petkun e një organizate joqeveritare joaktive, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se Zyra e regjistrimit të subjekteve politike pasi ka bërë verifikimin se a i plotësojnë këta persona kushtet ligjore për të qenë vëzhgues dhe a i plotëson kjo OJQ ato kushte i ka rekomanduar KQZ-së t’i akreditojë.

“Kjo është e vërteta, s’ka asgjë tjetër“, shtoi ajo.

“Se kujt i takojnë ata, çka janë ata, ne nuk mundemi me e ditë. Nga asnjë OJQ, asnjë institucion, ne nuk kërkojmë përkatësi politike, pra nuk e dimë nëse edhe në OJQ të tjera ka njerëz të partive politike”, tha Daka lidhur me praninë e përfaqësuesve të PDK-së dhe AAK-së në organizatën joaktive “Instituti Rajonal për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Studime Politike”, e cila ka vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Më tej, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka folur për procesin e numërimit të votave.

Ajo tha se brenda qendrës së numërimit të votave gjithçka është duke shkuar siç duhet.

“Puna po vazhdon në tri turne. Njerëzit po punojnë 24 orë pa ndërprerë. Sot është duke u bërë futja e rezultateve të partive dhe kandidatëve, pastaj në fund do të dimë se a kemi ndonjë kuti që ka nevojë për rinumërim. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë incident”, tha Valdete Daka për KALLXO.com.

Ndërsa, koordinatori i Qendrës së numërimit të votave, Burim Ahmetaj, tha se kjo Qendër ka pranuar mbrëmë të gjithë materialin e ndjeshëm nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Të gjithë materialin e kemi në Qendrën e numërimit dhe jemi në proces të plotësimit të të dhënave të formularëve të rezultateve. Kemi staf të dyfishuar për të mos ndodhur gabime”, tha ai.

“Po ashtu jemi duke bërë edhe skanimin e votave, pastaj do të kalojmë te numërimi i votuesve me kusht. Ende nuk kemi mbërri tek procesi nëse mundet të ketë persona të cilët kanë votuar dy herë, si i rregullt dhe me kusht. Mundet me pasë rinumërim të kutive të votimit pasi që ekziston ajo që një subjekt mundet me pasë vota ndërsa deputetët jo ose e kundërta por një gjë mund ta them që do të ketë rinumërim por nuk e di se sa”, tha Ahmetaj.

Ndërsa, shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Alojz Peterle, tha sot se përfshirja e vëzhguesve të zgjedhjeve të PDK-së dhe AAK-së nën petkun e një organizate të shoqërisë civile është në kundërshtim me ligjin.

http://kallxo.com/vezhguesit-e-se-te-shqetesuar-ojq-ne-e-vezhguesve-te-pdk-se-dhe-aak-se/

Të dielën, KALLXO.com ka zbuluar planet e koalicionit PDK-AAK-NISMA për të fshehur vëzhguesit e tyre në emër të një OJQ-je joaktive.

http://kallxo.com/skandali-zgjedhjeve-pdk-e-aak-fshehin-vezhguesit-partiake-ne-ojq-joaktive/