(Mos)zgjedhja e Rektorit me “Intervenime nga Jashtë”

Naser Sahiti që në raundin e tretë të votimit për rektor mori 4 vota nga anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, edhe pse procesin e zgjedhjes së rektorit e konsideroi të rregullt, nuk e përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë.

Ai edhe ndërhyrjet nga jashtë që nuk saktësoi prej nga mund të kenë ardhur, i cilësoi normale.

“Na jemi duke jetuar në Kosovë dhe jo vetëm këtu, por jam i bindur se në krejt botën zgjedhja e rektorit nuk mund të bëhet pa pasur interferenca nga jashtë. Nuk është një post i parëndësishëm për njerëzit, këto janë krejt normale… ka pasur prej të gjitha anëve asi intervenime,” tha Sahiti.

Lul Raka, kandidati tjetër për rektor që si Sahiti mori 4 vota në raundin e tretë të votimit, përshkroi në Facebook atë që sipas tij ndodhi ditën e djeshme.

“Çka mendova të bëj me UP u tregova të gjithëve. Publikisht. Plani A: s’ka aftësi menaxhuese. Hiqne prej procesit. Plani B: e futën, por mos e votoni, sepse është dorë e zgjatur e këtij, e atij. Dola me nja 20 duar, këmbë e organe të tjera. Plani C: edhe nëse fiton, pas tri ditësh e anulojmë në Senat,” shkroi Raka.

Dje, përveç Sahitit e Rakës në garë për pozitën e rektorit ishin edhe Anton Berishaj e Sali Bashota. Të katërt u intervistuan, secili nga 15 minuta, por më pastaj dështoi zgjedhja e rektorit, ngase asnjëri nga ta nuk mori votat e nevojshme.

Për t’u zgjedhur rektor duheshin 5 vota të anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

http://kallxo.com/deshton-zgjedhja-e-rektorit-te-up-se/

Raka në postimin e tij e quajti tradhti moszgjedhjen.

“Unë jam i qetë. Po ua fali tradhëtinë disa Hamëz Kastriotëve. Falë ju qoftë o burra! (edhe grave, poashtu).  E, ti Hajredin Pasha vazhdo. Bjeri Radikës! Një ditë do të vijë e mbara për këtë nënqiell. Ajo e mbarë do të agojë pikërisht në Universitetin e Prishtinës. Herët apo vonë. Uroj të mos e shtyjnë shumë,” shkroi më tutje Raka.

KALLXO.com tentoi ta kontaktojë Rakën me telefon për ta marrë mendimin e tij se kujt ia dedikon fjalët për tradhtinë, por telefoni i tij ishte i mbyllur.

Por Kemajl Bislimi, anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së mohoi interferimet.

“Nuk kisha dashtë diçka me thënë në këtë drejtim. Tek e fundit, ne betimin kur e kemi bërë, e kemi bërë pa ndikime, pa interferime dhe jemi të lirë me vendos për ato gjana. Nuk kisha thanë diçka në këtë drejtim që ka pasur interferime, ose diçka të tillë,” tha Bislimi.

Ai nuk deshi ta komentojë postimin e Lul Rakës.

“Secili i ka opinionet e veta, por unë nuk kisha dashtë me thanë diçka në këtë drejtim,” tha Kemajl Bislimi.

KALLXO.com për votimin e djeshëm dhe postimin e Lul Rakës tentoi t’i pyesë edhe kandidatët për rektor Sali Bashotën e Anton Berishajn, por kontaki me ta ishte i pamundur. [interaction id=”56dad1c936e5105a3a5a7485″]