Veteranët kërkojnë zbardhjen e vrasjes së pjestarit të UÇK-së

Përmes një reagimi për media, kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj vrasjes së bashkëluftëtarit të tyre  që ndodhi dje në Krushë të Vogël duke kërkuar ndriçimin sa më të shpejtë të këtij rasti.

“Dje në fshatin Krushë të Prizrenit, në vendin e tij të punës është vrarë bashkëluftëtari ynë MILIT SHEHU. Kërkojmë nga organet e drejtësisë, që sa më shpejt ta zbulojnë këtë krim dhe përgjegjësit të burgosen dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në njoftimin e OVL  së UÇK-së.

KALLXO.com raportoi se dje në fshatin Krushë të Vogël të Prizrenit rreth orës 6 e 30 të mëngjesit një person ishte gjetur i shtrirë në rrugë në prani të një pompe të kraburanteve në afërsi të Stacionit Hekurudhor në Krushë të Vogël.

KALLXO.com ekskluzivisht solli detaje nga hetimi i Prokurorisë Themelore në Prizren në lidhje me zbardhjen e këtij rasti.

Viktima ishte e vitit të lindjes 1977 ndërsa ishte veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.