Vdes ish- Gjenerali Jugosllav që u Tërhoq nga Fronti

 

Gjenerali Vladimir Trifunoviq – i njohur për udhëheqjen e trupave jugosllave në një tërheqje dramatike nga një kazermë kroate gjatë luftës në vitin 1991 – vdiq në një spital të Beogradit të dielën në moshën 78 vjeçare, edhe pse lajmi u bë publik vetëm ditën e martë.

Shkaku i vdekjes së tij është ende i panjohur. Trifunoviq do të varroset në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ai lindi, në qytetin veriperëndimor të Prijedorit.

Në shtator të vitit 1991, ai i dorëzoi kazermat më të mëdha të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Kroaci, në qytetin verior të Varazhdinit, forcave kroate për të shpëtuar jetët e 250 ushtarëve dhe oficerëve të tij.

Ai më vonë pohoi se dha urdhër që të gjitha pajisjet ushtarake të lëna pas në kazermë të çaktivizoheshin në mënyrë që armiku të mos fuqizohej më shumë.

Pasi Trifunoviq dhe njerëzit e tij u transferuan në Serbi të palënduar pas negociatave me kroatët, prokuroria ushtarake jugosllave e akuzoi atë në janar të vitit 1992 për “veprën penale të shkatërrimit të aftësive ushtarake dhe mbrojtëse”.

Një gjykatë e dënoi atë me shtatë vjet burg në vitin 1995.

Trifunoviq u lirua pas një viti burg me dekret nga presidenti i atëhershëm jugosllav Zoran Liliq, por vendimi kundër tij nuk u rrëzua.

Gjykata e Lartë e Serbisë më pas e anuloi gjykimin fillestar dhe urdhëroi një rigjykim të ri të çështjes në vitin 2010.

Më vonë atë vit, prokurori publik e rrëzoi çështjen kundër Trifunoviqit dhe katër oficerëve të tjerë, duke deklaruar se i akuzuari “veproi bazuar në nevoja ekstreme” gjatë tërheqjes së ushtrisë dhe se nuk kishte shenja se ata kishin kryer veprën penale të shkatërrimit të aftësive ushtarake dhe mbrojtëse.

Trifunoviq fitoi gjithashtu mbështetje në Serbi nga ata që këmbëngulën se ai shpëtoi jetët e ushtarëve të tij duke i nxjerrë ata nga kazermat.

Autoritetet në Sllovenisë dhe Kroacisë hetuan rolin e Trifunoviqit gjatë luftës.

Gjykata më e lartë në qytetin slloven të Mariborit e liroi atë nga akuzat në korrik 2014 për krime lufte kundër civilëve në qershor 1991, gjatë luftës së shkurtër midis forcave sllovene dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave.

Por në Kroaci, gjykata e qarkut në Varazdin e dënoi atë – bashkë me të dy nga oficerët e tij, Berislav Popov dhe Vladimir Davidoviç – me 15 vjet burg në vitin 1993 në mungesë për krime lufte në qytet para se Ushtria Popullore Jugosllave të tërhiqej.

Gjatë një sulmi ajror në qytet nga forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave, një civil u vra.

Gjykata e Lartë e Kroacisë e konfirmoi vendimin në vitin 1994.

Megjithatë, ish zv/kryeministri kroat Radimir Caciq – në vitin 1991 një anëtar i shtabit të krizës të Varazinit, përgjegjës për negociatat me Trifunoviqin – tha në vitin 2010 se gjenerali ishte i pafajshëm.

Pasi mori dëshmitë e Caciq dhe të tjerëve, gjykata e qarkut në Varazhdin vendosi për rigjykimin e çështjes së Trifunoviçit në vitin 2013, e cila më pas u transferua në gjykatën e qarkut në Zagreb.

Megjithatë, ai nuk mundi të merrte pjesë në seancat gjyqësore për shkak të gjendjes së tij të dobët shëndetësore dhe gjykata u shty për herë të fundit në dhjetor 2014.