Thaçi: Kryesit e pastrimit etnik në Kosovë do të japin përgjegjësi

Presidenti Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në tubimin përkujtimor për t’i kujtuar 113 të vrarët në Krushë të Vogël gjatë luftës së fundit, ka thënë se të gjithë kryesit e spastrimit etnik, krimeve dhe gjenocidit në Kosovë do të japin përgjegjësi.

“Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake serbe intensifikuan krimet, gjenocidin dhe dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova. Serbia ka kryer spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Ne nuk do t’i harrojmë krimet në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës nga shteti i Serbisë. Kryesit e këtyre krimeve, pastrimit etnik, vrasjeve deri në përmasat e gjenocidit do të japin përgjegjësi. Krusha e Vogël është simbol i mbijetesës por edhe i rilindjes në Kosovën e re. Prandaj liria dhe shteti ynë themelin e kanë mbi gjakun e atyre që ranë për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar presidenti Thaçi gjatë fjalimit të tij.