I dënuari Darko Tasiq - Foto: KALLXO.com

Detaje nga aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit ndaj Darko Tasiq, i cili u shpall fajtor për Krime Lufte në Krushë të Vogël

 

Gjykata e Prizrenit më 22 qershor të këtij viti, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Darko Tasiq dhe i kishte shqiptuar 22 vite burgim.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, u akuzua nga Prokuroria Speciale për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Një vit e nëntë muaj ka zgjatur gjykimi, apo 648 ditë, si dhe janë mbajtur 24 seanca gjyqësore, janë dëgjuar 18 dëshmitarë dhe janë lexuar tri deklarata të dëshmitarëve të dhëna në procedura të mëhershme, të cilët në kohën e mbajtjes së shqyrtimit kryesor  kanë vdekur ose janë ndodhur në gjendje të rëndë shëndetësore, arsye kjo pse nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në gjykatë.

Mbrojtja e të akuzuarit Darko Tasiq avokatët Ljubomir Pantoviq dhe avokati Dejan Vasiq, nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore dhe nuk kanë propozuar dëshmitarë ose prova tjera, kurse i akuzuari Darko Tasiq gjatë shqyrtimit është mbrojtur në heshtje dhe i ka mbështetur argumentet përfundimtare të mbrojtjes së tij.

Trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Artan Sejrani dhe anëtarët gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Ajser Skenderi e kanë shpallur fajtor të akuzuarin Tasiq për veprën penale të plaçkitjes, të shkatërrimit arbitrar, që nuk është arsyetuar me nevojat ushtarake si dhe të sulmit të rëndë dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor, me çka në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile, për të cilën vepër të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgosje në kohëzgjatje prej shtatë (7) vitesh.

Gjithashtu trupi gjykues e ka shpallur fajtor të akuzuarin Tasiq edhe për akuzat se morri pjesë në veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Për pikën e dytë të aktakuzës Tasiq u shpall fajtor dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 16 vitesh.

Trupi gjykues të akuzuarit Tasiq i shqiptoi dënim unik në kohëzgjatje prej 22 vitesh burgim.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin prej 28 faqesh të Gjykatës së Prizrenit, në të cilin gjyqtari Artan Sejrani ka arsyetuar vendimin e trupit gjykues.

Trupi gjykues i ka falur besimin dëshmive të 15 dëshmitarëve banorë të Krushës së Vogël dhe të fshati Breg Drini: Kasum Hajdari, Bajram Zylfiu, Kadri Muharremi, Xhafer Muharremi, Drita Batusha, Shaban Avdyli, Gani Zylfiu, Tom Prekpalaj, Dervish Hajdari, Ali Emrullahu, Agron Limani, Driton Limani, Driton Hajdari Mark Prekpalaj, dhe Milazim Duraku janë dëshmitarët të cilët Gjykata i ka falur besimin ktyre dëshmive dhe janë n harmoni me njëra tjetrën.

Gjithashtu para trupir gjykues dëshminë e kanë dhënë edhe dy zyrtarë Policor, nga sektori për krime të luftës të cilët kanë qenë të angazhuar me autorizim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të dalë në vendin e ngjarjes dhe për të mbledhur informacione, dhe të dy këtyre dëshmitarëve trupi gjykues i ka falur besimin, pasi këto dëshmi sipas trupit gjykues janë në përputhje me dëshmitë e dëshmitarëve tjerë dhe me provat materiale.

Gjithashtu para gjykatës kishte dëshmuar edhe gazetari britanik John Sweeney, dhe është shfaqur  edhe dokumentari i tij me titull “Raportimi i të dyshuarve kryesor” dhe “Dëshmitar i vrasjeve” , për gjykatën nga shikimi i këtij dokumentari është vërtetuar tmerri që kanë përjetuar banorët shqiptar të fshatit Krushë e Vogël.

Turpi gjykues ka arsyetuar se ky dëshmitar ka siguruar edhe listën e forcave para ushtarake të cilët kanë vepruar në fshatin Krushë e Vogël, e të cilët kanë qenë edhe banorë të këtij fshati.

Ky dëshmitar ka qenë edhe në lumin Drin ku e ka parë kamionin e portokalltë ë lum dhe ka notuar kur është afruar afër ka parë dhe prekur pjesë të gjakut. Andaj për gjykatën dëshmitë e geztarit britanik JOhn Sweeney janë në harmoni me dëshmitë e dëshmitarëve të cilët kanë theksuar se i akuzuari Darko Tasiq ka marrë pjesë në fundosjen e kamionit të Portokalltë dhe se i akuzuari Tasiq ka qenë në uniformë dhe i armatosur si pjesëtar i forcave Sebre, për këto arsye gjykata i ‘a ka falur besimin dëshmisë së këtij dëshmitari.

Gjykata të gjitha faktet e paraqitura i ka vërtetuar me dëgjimin e dëshmitarëve të cilët sipas gjykatës në mënyrë të sakte dhe precize kanë treguar ngjarjen se fillimisht e kanë parë të akuzuarin Darko Tasiq duke i plaçkitur shtëpitë e lagjes Hajdari dhe duke i vjedhur gjësendet shtëpiake.

Po ashtu sipas gjykatës këta dëshmitarë pasi që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre në fshatin Krushë e Vogël, kanë ikur përmes drinit të bardhë dhe janë strehuar në fshatin Breg Dri, por vazhdimisht kanë përcjellur gjendjen e çka po ndodh në Krushë të Vogël, “ dhe gjatë vështrimit, shohin se në drejtim të Drinit ka ardhur një kamion ngjyrë portokalli, i cili është ndalur buzë drinit i përcjellur me një mjet tjetër, nga kamioni kanë zbritur 3-4 persona ndër ta edhe i akuzuari Darko Tasiq, babai i tij dhe vëllai i tij të cilët pasi kanë shikuar se mos rastësisht është duke i shikuar ndokush, gjuajnë me armë në drejtim të kamionit të portokalltë dhe tentojnë ta fusin këtë kamion në Lumin Drin, me qëllim që ti humbin gjurmët por pasi që nuk futet kamioni në lum e lagin me lëndë djegëse dhe ia vënë flakën “ thuhet në aktgjykimin e arsyetuar të Gjykatës së Prizrenit.

Tutje thuhet se në ato momente i akuzuari Darko Tasiq shkon ty afër dhe e merr një eskavator mjet i përshtatshëm për ta shtyrë kamionin e portokalltë në ujë që të fundoset, duke pasur parasysh faktin se i akuzuari Tasiq ka punuar si mekanik dhe ka qenë në dijeni se si përdoret ky mjet.

Për Gjykatën nuk është kontestues fakti se i akuzuari Darko Tasiq ka qenë pjesë e forcave Serbe që kanë vepruar në fshatin Krushë e Vogël, dhe ky fakt është vërtetuar edhe nga dëshmitari Gani Zylfiu dhe Driton Limani të cilët e kanë parë nga afër të veshur me uniformë të zezë me të kaltër dhe se ka qenë i armatosur, thuhet në arsyetim të aktgjykimit të Gjykatës. Së Prizrenit.

Kjo sipas Gjykatës është vërtetuar me listën e emrave të pjesëtarëve të forcave Serbe të gjetura në shtëpinë e Sava Nikoliqit në fshatin Krushë e Vogël, ku figuronte dhe emri i të akuzuarit Darko Tasiq, e cila listë sipas Gjykatës dëshmon se i akuzuari Darko Tasiq ka vepruar në këtë fshat në mënyrë aktive si pjesëtar rezervë i forcave Serbe.

Ndërsa sa i përket pretendimit të avokatëve mbrojtës, të cilët në fjalën përfundimtare kishin kontestuar se vepra penale sipas aktakuzës – përdhosja e kufomave nuk përbën vepër penale, për trupin gjykues këto pretendime nuk qëndrojnë “ngase që të katër konventat e Gjenevës parashikojnë që i vdekuri të varroset me nder, dhe se ritet e fesë të cilës i ndjeri i përkiste, nëse është e mundur duhej të respektohen”.

Pra të gjitha dëshmitë për trupin gjykues janë të besueshme ngase të gjithë dëshmitarët janë banor të fshatit Krushë e Vogël dhe Krushë e Madhe, e këta dëshmitarë e kanë njohur shumë mirë të akuzuarin Darko Tasiq dhe familjen e tij sepse kanë qenë bashkëfshatarë dhe se kanë pasur raporte të mria në mes vete, dhe për gjykatën secila dëshmi ka vërtetuar rrethana apo fakte në zbardhjen e veprimeve në drejtim të kryerjes së veprave penale nga i akuzuari.

Në përfundim Gjykata me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin ndaj të akuzuarit si rrethanë rënduese ka marrë shkallën e përgjegjësisë penale, i akuzuari ka qenë i përgjegjshëm dhe veprat penale i ka kryer në formën më të rëndë të fajit dhe me dashje direkte, duke vepruar si rezervist i forcave serbe, ai ka qenë i vetëdijshëm për veprimin dhe pasojat e veprimit të tij, por i kishte dëshiruar dhe i dëshironte pasojat e veprave penale.

Gjithashtu Gjykata ka marrë si rrethanë rënduese edhe motivin për kryerjen e veprave penale vendosmërinë e të akuzuarit për të kryer vepra penale që vërtetohet se i njëjti ka shfrytëzuar kohën e krijuar të luftës dhe detyrat që i ka pasur si pjesë e forcave Serbe dhe mënyrën e kryerjen së veprave penale. Kurse si rrethana lehtësuese Gjykata ka marrë parasysh sjelljen korrekte e të akuzuarit para Gjykatës, moshën e tij, gjendjen ekonomike faktin se është i martuar dhe baba i 3 fëmijëve.

Në fund, aktgjykimi udhëzon se nëse prokurorja Drita Hajdari, i akuzuari Darko Tasiç me mbrojtësit e tij, avokatët Ljubomir Pantoviç dhe Dejan Vasiç janë të pakënaqur me aktgjykimin, kanë të drejtë në ankesë brenda 15 ditëve, në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Në seancën e datës 17 qershor kur prokurorja dhe mbrojtësit kishin dhënë fjalën përfundimtare prokurorja Drita Hajdari kishte potencuar faktin se hetimi për krimet e luftës në Krushë të Vogël nuk është zhvilluar vetëm ndaj Darko Tasiqit por ndaj 36 personave të dyshuar.

Familjarë të viktimave gjatë luftës së fundit në Krushë të Vogël të Prizrenit kanë protestuar disa herë para kësaj Gjykate duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.

Pas shpalljes së vendimit për Tasiqin, protestuesi që ishin para Gjykatës kishin hyrë brenda oborrit të Stacionit të Policisë që është mbrapa objektit të Gjykatës, dhe kishin goditur automjetin me të cilin po transportohej i akuzuari Tasiq në burgun e sigurisë së lartë.

https://kallxo.com/lajm/eskalon-protesta-ne-prizren-ku-po-jepej-vendimi-per-te-akuzuarin-per-krime-lufte/

Nga përplasja me Policinë, disa protestues kanë pësuar lëndime, kryesisht nga spreji lotsjellës i përdorur nga Policia për të shpërndarë protestuesit që kishin hyrë brenda oborrit të stacionit të Policisë.