Foto: ZKM

Rivarrosen shtatë viktimat e masakrës së Krushës së Vogël

Sot në 23-vjetorin e masakrës së Krushës së Vogël janë rivarrosur shtatë viktima të kësaj masakre.

Me ceremoni shtetërore e me prezencë të liderëve të shtetit, u rivarrosën mbetjet mortore të Hysen Zylfiut, Nue Prenkaj, Sami Shehu, Ahmet Berisha, Nuredin Shehu, Skifter Batusha dhe Sahit Shehu.

Në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të masakrës së Krushës së Vogël, kryetarja e këtij fshati, Shpresa Shehu tha se çdo vit hapja e varreve shkakton dhimbje.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se historia e shtetit të Kosovës nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e të Madhe.

Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur gjatë luftës, Andin Hoti.

Maskarat në Krushë të Madhe dhe të Vogël konsiderohen si masakrat më të mëdha të kohës së luftës në Kosovë.

Sot janë bërë 23 vjet nga masakrat në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël.

Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, përfshirë burra, gra, pleq e fëmijë.