Hapësira prapa Pallatit të Rinisë ndahet për teatër të operës dhe baletit

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka vendosur që hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të jetë lokacioni për ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit.

Për këtë propozim-vendim votuan 37 asamblistë për, 0 kundër dhe 2 abstenime.

Kryetari Përparim Rama deklaroi se kjo hapësirë do të shërbejë edhe si platformë multifunksionale.

“Kemi pasur diskutime brenda 2.2 hektarëve sepse është një zonë shumë e madhe, kjo ka me pasë edhe funksion multifunksional që qendra eksibite të jetë më e madhja në rajon. Po ashtu edhe një zonë komerciale që ndërlidhet me baletin e opera, kjo hapësira që ndërlidh po ashtu Arbërinë me qendrën që krijon mundësi të shlirtë të qytetarëve pa pasur nevojë me hypë në makina. Pra ky është aspekti multifunksional dhe diskutimet me Ministrinë janë të tilla”, u shpreh Rama.

Caktimi lokacionit për ndërtimin e objektit të operës dhe baletit vjen pak më shumë se një vit kur MKRS hoqi dorë përfundimisht nga ndërtimi i këtij objekti afër Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Vendimi për ndërtimin e objektit të teatrit të operës ishte marrë në vitin 2006, kur edhe ishte caktuar lokacioni për ndërtimin e objektit te Fakulteti Teknik.

Më 2009 ishte vënë guri i themelit, por, pas pak kohe gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe te lokacioni i caktuar për ndërtim, e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.

Në nëntor 2019, gjatë prezantimit të projekt- propozimit të planit rregullues për zonën te Fakulteti Teknik, ish-kreu i Komunës, Shpend Ahmeti, pat deklaruar se ishte shfuqizuar vendimi që te Tekniku të ndërtohet ndërtesa e operës.

Pavarësisht disa përpjekjeve, MKRS u detyrua të pranojë vendimin e Komunës dhe gjithçka nisi nga fillimi për ndërtimin e objektit.

Duke u bazuar edhe në Ligjin për filarmoninë, operën dhe baletin, Kuvendi i Kosovës votoi më 2021 për themelimin e Operës së Kosovës.

Pak kohë më pas, Meriton Ferizi u emërua ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës.

Lokacioni për ndërtimin e Pallatit të Operës, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës me versione të ndryshme për pronësinë