Rrustem Mustafa | Foto: Facebook

Rrustem Mustafa thotë se Dhomat e Specializuara e ftuan për intervistim por pastaj e anuluan

Rrustem Mustafa ka njoftuar përmes facebook-ut se është ftuar nga Dhomat e veçanta të Prokurorisë së Specializuar të Kosovës për t`u intervistuar.

“Në mbrëmjen e datës 1 nëntor 2023, nga zyrtarët e Dhomave të veçanta të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kam pranuar një ftesë për t’u intervistuar sot, me 03.11.2023, në ora 09:00” – ka thënë ai.

Megjithatë sipas tij kjo ftesë më vonë u anulua.

“Në ndërkohë, po nga të njëjtit zyrtarë, dje pasdite, fillimisht përmes një thirrjeje telefonike dhe pastaj një sms-je dhe email-i, m’u konfirmua se intervistimi im nga ZPS-ja është anuluar” – shkruan në statusin e tij të fundit në këtë rrjet social.

Ai është shprehur i gatshëm për, siç ka thënë ai, të kontriboujë për drejtësi.

“Si në të kaluarën ashtu edhe sot, por edhe nesër e kurdo që është nevoja, jam i gatshëm për të dhënë kontributin tim në favor të drejtësisë”.

Përmes këtij shkrimi ai e ka quajtur edhe njëherë luftën e UÇK-së çlirimtare.

Të kontaktuar nga Kallxo.com Prokuroria Speciale kanë refuzuar të përgjigjen.

“Zyra e Prokurorisë së Specializuar nuk jep informatat në hetimet e saj” – ka shkruar përmes e-mail-it Christopher Bennett, këshilltar në këtë institucion.

Rrustem Mustafa i njohur si “Komandant Remi” ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Për faktin se ai ka qenë ndër protagonistët e kësaj lufte ai është shprehur se ishte “me fat”.

Pas luftës ai ishte inkuadruar edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Mustafa po ashtu ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.