Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Përvojat e anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti në Bordin e Telekomit

Ndër vendimet e para të Qeverisë së Albin Kurtit ishte shkarkimi i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Telekomi”.

Në mbledhjen e ekzekutivit kosovar, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, dha arsyet e shkarkimit të anëtarëve të Bordit në Telekom.

“Është në gjendje të rëndë financiare dhe operative. Ndodhet në prag të falimentimit. Në këto rrethana si ministre përgjegjëse konstatoj nevojën për veprim të menjëhershëm të Qeverisë. Shkarkohet bordi dhe emërohet bordi i ri”, kishte deklaruar ministrja Hajdari para kabinetit qeveritar.

Në vend të anëtarëve të shkarkuar, Qeveria e Kosovës emëroi katër anëtarë të rinj, dy prej të cilëve do të zëvendësoheshin më vonë.

Tani janë emëruar katër anëtarë të përkohshëm në Bordin e Telekomit.

Genc Rraci u emërua kryesues Bordi, ndërsa Naim Maloku, Hekuran Nikçi dhe Lule Ahmeti anëtarë.

KALLXO.com me anë të kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar CV-të e anëtarëve në shtatë Ndërmarrje Publike të emëruar si të përkohshme nga qeverisja e tanishme.

Kryesuesi i Bordit në Telekom, Genc Rraci, siç është përshkruar në CV-në e tij, ka përvojë në disa kompani, duke përfshirë edhe atë të Telekomit të Kosovës.

Që nga viti 2013, Rraci punon në një kompani me seli në Bullgari, “New Europe Corporate Advisory”, si Drejtor Rajonal për Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Rraci gjithashtu për një vit, 2018-2019 ka punuar si këshilltar i jashtëm në USAID.

Ndërsa, nga viti 2008 deri më 2011 ka punuar si Udhëheqës i Departamentit të Auditimit të Brendshëm PTK, Post-Telekomi i Kosovës.

Rraci i ka përfunduar shkollimin në Holandë, si Bachelor në Administrim Biznesi në HBO Nederland. Ai gjithashtu ka përfunduar magjistër në “Accounting & Auditing” në Universitetin Nyenrode të Holandës. Në të njëjtin universitet është kandidat për doktorant.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Genc Rraci.

Anëtari i Bordit të Përkohshëm në Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës”, Hekuran Nikçi, ka një përvojë në disa fusha.

Në përshkrimin e tij në CV thuhet se ka punuar në Divizionin e Mobilizimit të Resurseve, po ashtu si Auditor i Përformancës, Profesionalist i Pasurive të Patundshme, Bankier.

Nikçi ka përvojë disa vjeçare edhe në Amerikë në disa sektorë ndërsa, në vitin 2006 ai ka punuar edhe në Kuvendin e Kosovës, si praktikant.

Hekuran Nikçi ka përfunuar Fakultetin Ekonomik në “Barkley College” të ShBA-së në vitin 2013 ndërsa, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë në “Swansea University”, në Angli.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Hekuran Nikçi, anëtar i përkohshëm në Bordin e Telekomit.

Lule Ahmeti është anëtarja tjetër në Bordin e Përkohshëm në Telekomin e Kosovës.

Në përshkrimin e CV-së, ajo ka një përgatitje akademike në fushën e inxhinerikës.

Ahmeti ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Informatikë dhe Telekomunikacion në Universitetin e Prishtinës në vitin 1995.

Ndërsa, pas dy vitesh përfundoi edhe studimet master në drejtimin e inxhineri kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Në vitin 2004, Ahmeti përfundoi studimet e doktoratës në shkencën e kompjuterave në Universitetin “Albert-Ludwigs” të Freiburg në Gjermani.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Lule Ahmeti, anëtare në Bordin e Përkohshëm në Telekom.

Anëtar tjetër i Bordit është edhe Naim Maloku. Në CV-në e tij të cilën KALLXO.com e ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike thuhet se ai ka përvojë 28 vjeçare në fushën e teknologjisë, informacionit dhe telekomunikacionit.

Maloku ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë dhe Kompjuterike në Universitetin e Zagrebit në Kroaci në vitin 2000 në master si dhe ka diplomë bachelori në Fakultetin e Telekomunikacionit të Inxhinierisë Elektrike pranë Universitetit të Prishtinës.

Naim Maloku ka edhe një numër të publikimeve shkencore.

KËTU mund ta gjeni të plotë CV-në e Naim Malokut, anëtarit tjetër të Bordit të Përkohshëm në Telekom.

KALLXO.com me qëllim ka mbuluar të dhënat personale të anëtarëve të Bordit për të ruajtur privatësinë e secilit.

KALLXO.com do të vazhdojë t’i publikojë CV-të e gjithë anëtarëve të emëruar nga Qeveria Kurti.

 

Standardi i ri i punësimeve nën arsyetimin e ‘emërimeve’

 

www.kallxo.com