Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Standardi i ri i punësimeve nën arsyetimin e ‘emërimeve’

Me ardhjen në pushtet të Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë në detyrë, shumë kontrata të dyshimta e vendime të jashtëligjshme të qeverisë së kaluar u shfuqizuan.

Por, KALLXO.com ka gjetur se edhe ekzekutivi i ri ka emërime mbi baza partiake, për të cilat ka raportuar KALLXO.com.

Rasti më i freskët është ai i emërimit të këshilltarit të ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, Mirsad Shkreta në bordin drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

KALLXO.com, të shtunën e kaluar ka raportuar lidhur me emërimin politik të Shkretës si anëtar bordi në ShSKUK, pasi përveç pozitës së këshilltarit të ministrit Vitia, Shkreta më herët ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (partia së cilës i përket ministri Vitia), për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë u deklaruar lidhur me emërimin në fjalë, duke dhënë arsye se ligji nuk e thotë nëse përfaqësuesi i MSh-së në bord të ShSKUK-së duhet të jetë nga stafi civil apo mund të jetë i emëruar politikë.

MSh në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com ka thënë se përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë Ligji për Shëndetësi, i cili e përcakton edhe përbërjen e bordit të ShSKUK-së, ku një përfaqësues është nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ligji nuk e thotë nëse përfaqësuesi i MSh-së duhet të jetë me mandat politik ose jo. Kështu ka qenë edhe në mandatet e bordeve të kaluara të SHSKUK-së”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Vitia, duke arsyetuar vendimin tha se ky është një standard i vendosur në kuptimin ligjor.

“Nuk është vetëm punë standardi është një standard i vendosur në kuptimin ligjor që nga Ministria e Shëndetësisë të vendoset dikush në institucionet përkatëse për të shtyrë agjendën politike në kuptimin e realizimit të programit politik qeverisës sa i përket shëndetësisë. Me këto kompetenca, edhe unë konform legjislacionit në fuqi kam marr vendimin për  të cilin veç jeni njoftuar”, tha ministri në një konferencë për media online, të dielën.

Sipas Vitisë, kjo është një praktikë e ndjekur.

“Sa i përket emërimit, përfaqësuesit të ministrisë në bordin e ShSKUK-së, secila qeveria ka një program politik të cilin duhet ta shtyjë përpara dhe kjo është edhe arsyeja pse ligjet janë formuluar në mënyrë të tillë që edhe në insgtitucione të tilla të rëndësishme si SHSKUK-ja, këto programe politike të shtyhen përpara përmes përfaqësuesëve politik të cilët vijnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo ka qenë arsyeja”, shtoi ai.

Për këtë emërim, pati reagime edhe nga opozita aktuale.

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, për partinë e të cilit është raportuar për shumë raste të punësimeve mbi nepotizëm, gjatë qeverisës së PDK-AAK-Nisma “PAN”, një ditë më parë tha se emërimi i Shkretës në bordin e ShSKUK-së, është ‘shembull tipik’ me e kallxu ‘logjikën’ e nepotizmit.

“Me marr këshilltarin politik të ministrit të Shëndetësisë e me çu me bo anëtar të bordit, më shembull tipik me kallxu çfarë logjike ki, nuk ka. Me siguri Mirsad Shkreta është korrekt, unë nuk e di, as nuk e njoh a është i mirë a i keq në profesion. Veç me marr ti kandidatin për deputet, tëndin që e ke bo këshilltar të ministrit e me çu me në bord, ma lidhje e shkurt, sdi a ka bo PAN-i qeshtu qekaq hapur”, tha Haradinaj në RTV Dukagjini, të hënën.

Pas këtyre deklaratave reagoi edhe vetë anëtari i sapo emëruar në bordin e ShSKUK-së, Mirsad Shkreta.

Ai ka thënë se termet “emërime” dhe “punësime”, nuk janë sinonime.

Ish-kryeministri, tashmë përjetësisht i tillë, e ka ngatërruar Bordin e ShSKUK me Bordet e Ndërmarrjeve Publike, sepse aty mban mend ai konkurset e ‘kurdisura’ e marrëveshjet e PAN-it për ndarje postesh”, ka shkruar Shkreta në Facebook.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë më duhet të sqaroj se një anëtar nga shtatë që janë në Bord të Shskuk delegohet nga Ministri i Shëndetësisë sipas Statutit. Këta që i japin mësim duhet ta sqarojnë se nuk janë sinonime ‘emërimet’ e ‘punësimet’”, thuhet në publikimin e tij.

Punësimet politike gjatë qeverisjes LVV-LDK

Vetëm pak ditë pasi u votua Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin me 3 shkurt, e cila pas rrëzimit nga Kuvendi i Kosovës, me 25 mars mbetet në detyrë, KALLXO.com ka kërkuar informacione për të punësuarit në 15 ministritë.

Kjo kërkesë është bërë me qëllim të verifikimit nëse premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore për luftimin e nepotizmit janë duke u implementuar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës me rastin e kompletimit të stafit të tyre.

Nga ajo kohë, u raportua për disa raste të punësimeve mbi nepotizëm.

Vetë Ministria e Mbrojtjes për KALLXO.com bëri të ditur se në mesin e 10 të emëruarve nga ministri, tash në detyrë, Anton Quni është edhe njëri vëlla i tij.

“Nga të gjithë të punësuarit e stafit përkatës, Ministri Quni ka lidhje familjare vetëm me vllain e tij, Albert Quni në pozitën zyrtare; Shoqërues i Ministrit”, thuhet në përgjigjen e zyrës të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ish Kryeminstri tashmë përjetësisht i tillë e ka ngatërruar Bordin e Shskuk me Bordet e Ndërrmarrjeve Publike sepse aty…

Publiée par Mirsad Shkreta sur Lundi 30 mars 2020

Stafi i kabinetit të ministrit Anton Quni ka këtë përbërje: Jashar Ramadani, shef i kabinetit të ministrit, Martina Dedaj– Kqira, zyrtare e lartë e kabinetit të ministrit, Feriz Trezhnjeva, këshilltar politik i ministrit; Hamdi Pollomi, këshilltar ushtarak i ministrit, Arsim Hoxhaj, këshilltar politik i ministrit, Demokrat Gjocaj, këshilltar politik i ministrit, Nderim Gashi, këshilltar politik i ministrit, Kushtrim Sejdiu, sekretar personal i ministrit, Albert Quni, shoqërues i ministrit dhe Demir Murselaj, shofer i ministrit.

Në përgjigjen për KALLXO.com thuhet se punësimi i stafit të tij mes tjerash është bërë bazuar në profesionalizëm.

“Bazuar në formimin profesional ushtarak dhe politik të dëshmuar të Ministrit Quni, punësimi i stafit të tij është i bazuar në vlerat profesionale, intelektuale, eksperiencës dhe shkathtësive menaxhuese të personelit përkatës”, thuhet në përgjigjen e tyre elektronike.

Në fillim të marsit, KALLXO.com, ka gjetur se anëtarja e forumit të gruas së LDK-së, në Rahovec, Diana Hoti është punësuar si asistente administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Me datë 2 mars 2020, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se kandidate e suksesshme për këtë pozitë është Diana Hoti.

Hoti është anëtare e Forumit të Gruas së LDK-së, në komunën e Rahovecit.

KALLXO.com, ka kontaktuar me Diana Hotin për ta pyetur nëse ka pasur ndikime politike në punësimin e saj.

Hoti ka thënë për KALLXO.com, se për këtë duhet pyetur komisionin dhe jo atë.

“Mundeni me e pyet komisionin qysh kam qenë unë, ky është konkurs që është hapë në vitin 2019 dhe absolut nuk ka pas askush pjesë këtu, lexoni te shpallja edhe mundeni me e pyet komisionin dhe jo mua”, tha Hoti.

Anëtarja e Forumit të Gruas së LDK-së, në Rahovec, Diana Hoti është përzgjedhur kandidate e suksesshme me 74.80%, të pikëve totale.

Ajo është përzgjedhur si asistente administrative në qendrën e regjistrimit të automjeteve në Obiliq, pikërisht në Ministrinë e udhëhequr nga Agim Veliu i LDK-së.

Në vendimin e MBP për njoftimin e kandidatit më të suksesshëm për pozitën në të cilën është pranuar kandidatja Diana Hoti, që mbanë datën 02.03.2020 bëhet e ditur se ky konkurs ishte shpallur me datën 14.09.2019.

Më pas i njëjti konkurs ishte vazhduar deri më datën 05.10.2019-të.

Mirëpo kjo pozitë ishte pezulluar sipas kërkesës së Ministrisë së Administratës Publike me datë 07.10.2019, dhe një ditë më vonë me 08.10.2019 ishin njoftuar edhe kandidatët për pezullimin e konkursit.

Më pastaj me datë 10.01.2020 Ministria e Administratës Publike kishte njoftuar institucionet se mund të vazhdojnë me konkurset e pezulluara, derisa Gjykata Kushtetuese të vendoste lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Bazuar në këtë, MBP me datën 02.03.2020 e kishte njoftuar kandidaten Diana Hoti, se është kandidatja e pranuar në pozitën e Asistentes Administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Obiliq.

Pas këtij raportimi, Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar duke thënë se Ministri Agim Veliu  nuk ka gisht në këtë punësim.

“Dëshirojmë të bëjmë me dije se ky konkurs dhe kjo zgjedhje është bërë para së të emërohet ministër, z. Agim Veliu dhe kjo nuk është korrekte që të lidhet ky punësim me ministrin e ri të MPBAP-së”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Punësime të shumta politike, ka pasur edhe gjatë qeverisjeve të kaluara. Vetëm gjatë vitit 2019, KALLXO.com, ka gjetur se nëntë nga njëzet inspektorët e rijnë të ATK-së, kanë pasur lidhje me parti politike.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për politizimin e ndërmarrje publike dhe jo vetëm.

Gjatë vitit 2019, Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn ka emëruar persona politikë në bordet e ndërmarrjeve publike, siç është Posta e Kosovës, KRU “Prishtina” dhe Ibër-Lepenci.

Këto gjetje u prezantuan në raportin e monitorimit të rekrutimit “CV apo Librezë?” të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Në këtë raport thuhet se politizimi ka vazhduar me emërimin e personave politikë nëpër pozitat të larta në ndërmarrjet publike, siç është zëvendësdrejtori i KEK-ut dhe sekretari i Telekomit të Kosovës.

Sekretarët e LDK-së

Pak ditë pasi që Qeveria e Kosovës mori vendim që të shkarkohet nga detyra sekretari i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ekrem Kastrati këtë detyrë e ka marrë një ushtrues detyre. Në këtë pozitë është emëruar ish-zëvendësministri i Arsimit, Agim Bërdyna, ish-partiak i ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami.

Bërdyna ka qenë zëvendësministër i Arsimit në vitin 2016, kur në krye të kësaj ministrie ishte Arsim Bajrami. Berdyna po ashtu ka qenë kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës nga LDK-ja në vitin 2009 dhe sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, ai kishte marrë 4 mijë e 668 vota.

Pas riorganizimit të ministrive dhe reduktimit të tyre në 15, Qeveria e Kosovës e emëroi Izedin Bytyqin, Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Deri në atë kohë, për pesë vite me radhë Bytyqi ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Bytyqi ka lidhje familjare me ish-deputetin e LDK-së.