Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Dyshuarit për Sulmin ndaj Gazetarit Vehbi Kajtazi

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj Fitim Thaqit, i dyshuari për sulmin fizik ndaj kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gazmend Halilaj, avokati i të dyshuarit Thaqi.

Më herët, gjatë ditës, KALLXO.com raportoi se Fitim Thaqi është dërguar para gjykatës.

Fitim Thaqi, i cili është dorëzuar mbrëmë në Polici, gjatë intervistës e kishte pranuar fajësinë për sulmin ndaj gazetarit Kajtazi, por kishte thënë se nuk e ka njohur më parë të sulmuarin dhe as nuk ka ditur për punën që bënte ai.

http://kallxo.com/cka-tha-ne-polici-sulmuesi-gazetarit-vehbi-kajtazi/

Ndryshe, gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten teksa ishte në një restorant në kryeqytet.

Ndërsa, të shtunën, komuniteti i gazetarëve protestoi kundër sulmit fizik ndaj kolegut të tyre.

Vetë i sulmuari tha se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politikën.

Ndërsa më 16 gusht të këtij viti ishte sulmuar edhe Parim Olluri, drejtori i Gazetës Insajderi.

Në mars për kërcënimet ndaj gazetarëve kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte caktuar si koordinator prokurorin Besim Kelmendi.

http://kallxo.com/gazetaret-prokuror-te-vecante-qe-heton-kercenimet/