Monumenti kushtuar Enver Malokut në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Mustafa Kërkon nga Drejtësia ta Zbardhë Vrasjen e Enver Malokut

Ai kërkoi nga institucionet relevante që të angazhohen në gjetjen e kryesve të këtyre vrasjeve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

“Enver Maloku është një prej figurave më të rëndësishme në Kosovë dhe jo vetëm në Lidhjen Demokraike të Kosovës sepse kontribuoi për çlirimin dhe pavarësimin e vendit, por po ashtu ata që nuk e deshën këtë liri dhe pavarësi e vranë atë dhe është detyrë e jona që për Enver Malokun dhe për të gjithë ata që pësuan nga dora e dikujt që ata të zbulohen dhe të përgjigjen para ligjit dhe të përgjigjen për këto vepra të zeza që ia bënë Kosovës”, tha Mustafa.

Enver Maloku u vra në natën e 10 janarit 1999 para banesës së tij në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ai ishte redaktor në Qendrën për Informim të Kosovës, një medium i cili në vitet ’90 ka qenë burim informacioni për zhvillimet në Kosovë.

18 vjet më vonë, pasi bëri homazhe në vendin e vrasjes së Malokut, kryeministri Mustafa tha se Prokuroria e Shtetit dhe të gjitha institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në zbardhjen e kësaj vrasjeje.

“Është çështje që duhet të zbardhet jo vetëm për hir të familjes, për hir të bashkëveprimtarëve, për hir të qytetarëve të Kosovës por për hir të drejtësisë sepse drejtësia duhet të zbardhet edhe në këtë rast edhe në rastet tjera. Drejtësia gjithmonë duhet të zbardhet, unë jam i bindur se do të ndodhë”, shtoi Mustafa.