Mustafa Kërkon Aleancë Kundër Terrorizmit

Gjatë konferencës së donatorëve për ta ndihmuar zbatimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm, Mustafa kërkoi luftë të përbashkët kundër këtyre dukurive.

“Kosova vlerëson se është një vend i vogël, por po ashtu vlerëson se e ka përgjegjësinë e vet në këtë luftë dhe të përbashkët të cilën duhet ta zhvillojmë me vendet e tjera sepse pasojat  nga terrorizmi janë shumë të mëdha, janë afatgjate dhe kërkojnë domosdoshmërisht një aleancë të përbashkët që ne ato t’i tejkalojmë dhe të luftojmë kundër tyre,” tha Mustafa.

Mustafa duke folur për strategjinë e pesë vjetëve të ardhshëm të parandalimit dhe luftimit të ekstremizmit dhe radikalizmit që çon në terrorizëm, tha se kosovarët kanë prnuar vlerat evropiane dhe perëndimore.

“Qytetarët tanë edhe të rinj edhe të vjetër janë qytetarë që janë të orientuar krejtësisht në mënyrë proevropiane dhe proamerikane që kanë pranuar vlerat evropiane, kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane, por natyrisht se edhe aktiviteti jonë që të punojmë me ta kërkon që të jemi bashkërisht në këtë aktivitet,” tha ai.

Mustafa deklaroi se ngritja e mirëqenies do t’i ndihmojë luftës kundër ekstremizmit e radikalizmit që mund të kthehen në terrorizëm.

“Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në mënyrën e tillë që të mos orientohen në mënyrë të dhunshme. Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë në mënyrë që atyre t’u sigurohet punësimi dhe mirëqenia,” përfundoi Mustafa.

Në gusht të vitit të kaluar ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni deklaroi se në organizatën terroriste ISIS luftojnë 100 kosovarë.

http://kallxo.com/skender-hyseni-per-numrin-e-kosovareve-qe-po-luftojne-ne-isis/