Liria e besimit në Zot sipas Kuranit

Besimi i vullnetshëm dhe i lirë në Zot, sipas shumë citateve të Kuranit shihet si një e drejtë ekskluzive e çdo individi. Kjo e drejtë personale, është e përcaktuar qartë në librin e shenjtë të myslimanëve, që do të thotë se, ajo ishte edhe para hartimit të konventave ndërkombëtare, që sot kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe besimit.

Në lidhje me këtë çështje të rëndësishme, këtu më poshtë do të evidentojmë disa citate të Kuranit, të cilat drejtpërdrejtë flasin për vullnetin e lirë të çdonjërit për të besuar apo mos besuar në Zot. Thënë shkurt, sipas tekstit të Kuranit, presion, dhunë dhe detyrim për të besuar nuk guxon të ketë nga askush dhe për askënd. Ky sanksionim në formë të prerë është theksuar në kaptinën el-Bekare, citati 69: “Nuk ka dhunë në fe” – (La ikrahe fi ed-dini).

Rrënja e fjalës arabe Ikrahe dhe kerihe është përmendur disa herë në Kuran në kontekste të ndryshme, por ajo kryesisht ka ardhur në kuptimin e imponimit, detyrimit, kryerjes së një veprimi jashtë vullnetit të dikujt, dhe si diçka që urrehet në brendësinë e njeriut, etj etj..

Prandaj, sipas kuptimit të përgjithshëm, i cili del nga rrënja e kësaj fjale, rezulton se, askush nuk gëzon të drejtën që të tjerëve t`ia imponojë bindjen e tij shpirtërore të besimit në Zot. Në të gjitha porositë kuranore, të cilat janë të lidhura me këtë tematikë, individi është lënë plotësisht i lirë që të zgjedhë mes besimit dhe mosbesimit të tij. “Kushdo le të besojë e kushdo le të mohoj” (el-Kehf: 29).

Ndërsa, si formë e përfundimit të dialogut dhe të diskutimeve me ata që nuk ndajnë bindjen dhe besimin sikurse edhe ne, në Kuran prerazi thuhet: “Ju keni fenë tuaj e ne kemi fenë tonë!” (el-Kafirune: 6).

Kurse, në ajetin 99 të kaptinës Junus, gjithashtu hasim në porosinë dhe sugjerimin e rëndësishëm, përmes së cilit ftohen të gjithë lexuesit dhe besimtarët e tij për të mos e detyruar askënd me forcë në besimin të cilit ne i përkasim. Një adresim i kësaj përmbajtje i është drejtuar edhe vet të dërguarit Muhamed: “Vallë, a ti do t`i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë”!!

Që do të thotë se, sikur Zoti të donte, gjithë njerëzit në sipërfaqen e tokës do t`i bënte besimtarë të Tij, mirëpo një gjë të tillë Ai nuk e deshi dhe nuk e urdhëroi, ndërsa arsyen dhe urtësinë e vërtetë e di vetëm Ai.

Me fjalë të tjera, udhëzimi përfundimtar i një njeriu për të besuar në Zot, i takon Zotit, e jo krijesës njeri. Njeriu mund të përpiqet për të thirrur dhe inkurajuar dikë që të besoj në Zot, mirëpo vetëm Zoti është ai që zemrën e dikujt mund ta zbut dhe ta kthej te Ai në formë e bindur dhe të plotësuar. Kjo e vërtetë, mbështetet po ashtu në citatin kuranor. “Zoti, është Ai që e udhëzon kë do, dhe e lë të pa udhëzuar atë që Ai do”. (en-Nahl:93).

Në lidhje me udhëzimin në rrugën e besimit, hasim edhe në porosinë tjetër të rëndësishme kuranore: “Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet, dhe kush humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrës i juaji”. (en-Nemel:108).

E në kaptinën ez-Zummer, në citatin 14-15, lexojmë udhëzimin tjetër, gjithashtu të qartë dhe kuptimplotë: “Thuaj: “Vetëm Zotin e adhuroj me besimin tim të plotë dhe të sinqertë, kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij”. (Thuaj, o Muhammed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti i juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bënë dëm vetes. Unë nuk jam rojtar i juaj”. “Sikur të donte Zoti, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të kemi bërë rojtar të tyre e as që je përgjegjës për ta”. (Citatet: 104-107).

Në lidhje me këtë mospërgjegjësi personale edhe të vet të Dërguarit, karshi atyre që kthejnë kokën anash dhe që nuk dëshirojnë të jenë dëgjues dhe të përkushtuar ndaj fjalës së Zotit, në vazhdim të Kuranit lexojmë edhe citatet si në vijim:

Kush i bindet të Dërguarit ai i është bindur Zotit. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre”. “Nëse ata të kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (Muhammed), si rojë për ta”. “…populli yt e quan të gënjeshtërt atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaj: “Unë nuk jam rojtari i juaj”. (el-En`aam: 60).

Ne e dimë mirë çfarë të thonë ata, por ti nuk do t`i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj, këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim”. (Kaf: 45).

Këshilloji njerëzit (o Muhammed), se ti je vetëm këshillues, dhe nuk je i ngarkuar t`i detyrosh ata me forcë”. (el-Gashije: 21-22).

Siç edhe shihet nga domethënia e teksteve të lartpërmendura, i dërguari Muhammed, detyrë mbi detyrat e tij, e ka pasur kumtimin e shpalljes, dhe kurrsesi jo edhe imponimin e saj, por as edhe rolin e rojtarit-gardianit që t`i ruajë bindjet e brendshme shpirtërore të njerëzve. Sipas mësimeve të nxjerra nga përmbajtja e plotë e tematikës në fjalë, detyrë dhe angazhim qenësor i të dërguarit Muhammed ka qenë shpërfaqja e shpalljes dhe thirrja e tij për të besuar në një Krijues të Vetëm. Kjo vërtetohet dhe fuqizohet edhe në disa pjesë tjera kuranore në vazhdim:

  1. “…kurse i Dërguari është i ngarkuar vetëm të përcjellë qartë Mesazhin Hyjnor”. (en-Nur: 54).
  2. “Nëse ju nuk më besoni, dijeni se edhe popujt e mëparshëm i kanë quajtur gënjeshtar të dërguarit, prandaj i Dërguari ka për detyrë vetëm të shpallë qartazi”. (el-Ankebut: 18).
  3. “I dërguari ka për detyrë vetëm të t`ju kumtojë Shpalljen…”. (el-Maide: 99).
  4. “…nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm të përcjellësh (mesazhin), e Allahu i vrojton robërit e vet”. (Ali Imran: 20).
  5. “…për të dërguarit s’ka tjetër detyrë veçse të shpallin qartë”. (en-Nahl: 35).
  6. “Dhe binduani Allahut dhe të Dërguarit (Muhammed a.s.)! Kujdes, nëse nuk ia vini veshin, ta dini se i Dërguari ka për detyrë vetëm të përçojë Shpalljen e qartë”. (el-Maide: 92).
  7. “Ti je vetëm paralajmërues”. (Fatir: 23).
  8. “Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”. (el-Ea`raf).
  9. “Thuaj (o Muhammed): “O njerëz, unë jam për ju vetëm një paralajmërues i hapur”. (el-Haxh: 49).

Prandaj, nga gjithë kjo që u tha më lartë mund të konkludohet se, e drejta e njeriut për të besuar në Zot është e garantuar qartë dhe thellësisht në vet brendësinë e Kuranit. Ndryshe, sikur njeriu të mos ishte i lirë në besimin tij, atëherë shpërblimi dhe as ndëshkimi për të në botën e përtejme nuk do të mund të kishte kuptim. Çështja e besimit në Zoti, është një lidhje e ngushtë dhe e padukshme vertikale e çdo njeriu, e cila kultivohet dhe zhvillohet sipas bindjes personale, pa forcë dhe pa imponim. Në të kundërtën, besimi në Zot nuk është dhe nuk mund të jetë i natyrshëm dhe i frytshëm, qoftë për vet individin e njashtu edhe për shoqërinë e gjerë në përgjithësi.

Lexo edhe:

Liria e besimit në Zot sipas Kuranit

 

Bashkëjetesa paqësore mes njerëzve sipas mësimeve islame

 

 

Këtij artikulli i ka kontribuar në redaktim dhe përgatitje Behar Mustafa.