A është lufta e pashmangshme për qeniet njerëzore?

Rregulli esencial moral është të mos bëjmë dëm. Por si specie, ne jemi të aftë për më të mirën dhe më të keqen.

Po fillojmë një vit të ri, mirëpo lajmet janë dekurajuese: konflikti në Ukrainë, bombardimet në Gaza, luftimet në Jemen. A është vërtet lufta një kusht i domosdoshëm mes njerëzve?

Në vitin 1986, u shpall Deklarata e Seviljes mbi Dhunën, një dokument i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë të mbledhur nga UNESCO në qytetin jugor spanjoll që arrin në përfundimin se nuk ka asnjë provë shkencore që lufta është e natyrshme për njerëzit. “Lufta nuk është në gjenet tona. Ajo që është e pashmangshme është zemërimi dhe dhuna njerëzore”- shpjegon Jorge L. Tizón, psikiatër dhe autor i librit të vitit 2022 ‘La Guerra como campo de Batalla. Deconstruyendo mitos y símbolos’ (Lufta si fushëbetejë. Zbërthimi i miteve dhe simboleve). Tizón na kujton diçka që ne të gjithë e përjetojmë në bashkëjetesën tonë shoqërore: se brenda nesh ka zemërim dhe dhunë dhe pikëllim dhe trishtim, por edhe gëzim, afrim, dëshirë dhe instinkt për të luajtur.

Ndonjëherë është e vështirë për ne ta shohim të dukshmen. Tek njerëzit, rregulli moral esencial është të mos bëjmë keq, dhe ne jemi “qenie ultrasociale që arrijmë të jetojmë në zona urbane të dendura të populluara ku ka një shoqërueshmëri të respektueshme, ku ndërveprojmë në një mënyrë besimi me të huajt, me kufij shumë të gjerë tolerance dhe bashkëpunimi”- kujton Adolf Tobeña, profesor i psikiatrisë në Universitetin Autonom të Barcelonës. Pra, si është e mundur të ndodhë lufta?

Konfrontimi i armatosur është ajo që e kemi parë me shekuj, e ushqyer nga ajo që Eric Fromm e quajti shkollën e “instinktivizmit”, një ide e fshehtë për ta pranuar luftën. “Ka emocione njerëzore dhe më pas kultura është përgjegjëse për stimulimin ose shtypjen e njërës apo tjetrës”- paralajmëron Tizón.

‘La religión de la guerra’ (Feja e luftës), një përmbledhje e artikujve të vitit 2022 të shkruar nga filozofi André Glucksmann në rininë e tij, argumentohet se Perëndimi është një shoqëri e hartuar nga luftërat që rrjedhin nga imperializmi, kolonializmi dhe nacionalizmi. Dhe se ajo zë një vend të spikatur në imazhet perëndimore. Lufta është shtylla kurrizore e mësimeve të historisë, pikturave, romaneve, filmave, serialeve dhe videolojërave. Është një simbol shumëplanësh i perceptuar si fat, detyrë, zakon, thirrje biologjike, aventurë, absurditet dhe së fundmi si krimi më i keq.

Shoqëria dhe nekrofilia

Ndoshta një zakon është shumë i ngjashëm me një të vërtetë, mirëpo nuk është. Në vitin 1987, Georgi Arbatov, këshilltar i ish udhëheqësit rus Mikhail Gorbaçovit, e paralajmëroi Perëndimin: “Do t’ju bëjmë një gjë të tmerrshme: do t’ju privojmë nga një armik”. Nëse identitetet më pak luftarake duhet të inkurajohen, atëherë do të na duhet të merremi me tërheqjen tonë për luftim. Në Lufta është një forcë që na jep kuptim (War is a Force that Gives us Meaning), Chris Hedges, reporter veteran i luftës i ngurtësuar në konflikte si El Salvador dhe Ballkan (dhe që vendosi të largohej nga Neë York Times pasi u tha se ishte kritik ndaj pushtimit të Irakut), paralajmëron se problemi është fuqia e mitit të luftës, sepse ai ka një forcë që i jep kuptim kaosit dhe vdekjes së dhunshme dhe e justifikon mizorinë dhe marrëzinë njerëzore. “Lufta është nekrofili” e fshehur nën klishetë e detyrës dhe miqësisë, shkruan ai.

Çelësi është se në ndërveprimin midis grupeve njerëzore, ndonjëherë mund t’i jepet një vlerë më e lartë. Nëse konsiderohet një “kauzë e drejtë” – cilado qoftë ajo – kjo na lejon ta lartësojmë moralin derisa të verbohemi dhe të konfrontohemi, sipas Tobeña, bashkëautor së bashku me Jorge Carrasco të ‘La guerra infinita. De las luchas tribales a las contiendas globales’ (Lufta e pafund: nga luftimet fisnore te konfliktet globale).

Ekziston edhe dëshira për të luftuar. “Njerëzit e kanë privilegjin e absurdit: ideja e jetës është më e rëndësishme se vetë jeta. Qytetërimet bien ose jo në varësi të vitalitetit të ideve të tyre kulturore, vlerave të tyre”, shpjegon në një bisedë telefonike antropologu Scott Atran. “Kemi një paragjykim automatik neuropsikologjik, një shkas psikologjik që na shtyn ta preferojmë dhe ta mbrojmë tonën, mirëpo ky paragjykim nuk çon domosdoshmërisht në konfrontim,” paralajmëron Tobeña.

“Lufta nuk është në gjenet tona. Ajo që nuk mund të shmanget është zemërimi dhe dhuna.” – Jorge L. Tizón, psikiatër.

Dhe, kur shfaqet armiqësia? Atëherë kur konkurrenca, lufta për dominim dhe favorizimi pro-grupeve – qofshin tribalizëm, sindikalizëm, shovinizëm apo nacionalizëm – ushqehen deri në pikën e paroksizmit. Dhe atëherë kur udhëheqja e individëve që kërkojnë të përfitojnë personalisht nga konfliktet e nxisin përbuzjen dhe urrejtjen ndaj të tjerëve. Atëherë kur frika ushqehet, ajo “i qarkson proceset njohëse”, të cilat mund të çojnë në konfrontim, sipas Tizón.

Dezertorët dhe “frikacakët”

Në vitin 1795, Kanti e hodhi idenë e shpalljes së luftës të paligjshme në një shkallë universale dhe dokumenti i Seviljes paralajmëron: se lufta lind në mendje. Prandaj, “duke vepruar sikur lufta të mos ishte e pashmangshme, ne mund ta parandalojmë atë”, arsyeton Cynthia Enloe, autore e ‘Dymbëdhjetë Leksioneve Feministe të Luftës’ (Tëelve Feminist Lessons of ëar). Për Enloe, të pretendosh se lufta është e pashmangshme do të thotë të mos e mbash askënd përgjegjës për shkatërrimin e paqes, “një supozim i rrezikshëm dhe thellësisht i militarizuar, sepse çdo luftë ka shpërthyer për shkak të vendimeve specifike nga njerëz të veçantë, secili prej të cilëve mund të kishte vepruar ndryshe”.

Në këtë komplot të errët, propaganda e luftës i injoron ata që ikin ose ata që refuzojnë të qëllojnë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria gjermane vrau 30,000 dezertorë, dhe në Luftën Civile Amerikane, gjysma e ushtarëve nuk i përdorën armët e tyre. Janë hije që thërrmohën në një mijë pjesë në historinë e rregullt, koherente të luftës.

Sipas tre parametrave themelorë të luftërave – frekuenca, kohëzgjatja dhe vdekshmëria – ato janë në rënie. Kur filloi Lufta e Parë Botërore, më shumë se dy milionë vullnetarë u regjistruan, diçka e paimagjinueshme tani. Historiania britanike Mary Beard argumentoi diçka të ngjashme kohët e fundit: “Ne nuk e kemi zgjidhur problemin e luftës apo krimeve, por tashmë e dimë se kjo nuk është bërë. Kemi shënuar progresr.”

Lloji njerëzor ka një kapacitet për një mentalitet komuniteti të aftë për më të mirën dhe më të keqen. Ka njerëz, të tillë si mjeku palestinez Mahmoud Abu Nujaila, nga Mjekët pa Kufij, i cili vdiq në një bombardim në spitalin Al Aëda në Gaza, për vendimin e tij për të mos i braktisur të sëmurët dhe të plagosurit. “Bëmë atë që mundëm. Na mbani mend ne,” e la ai të shkruar porosinë në tabelë për t’i planifikuar operacionet.

Në anën tjetër të pasqyrës është Adolf Hitleri, i cili në vjeshtën e vitit 1923, në fabrikën e birrës Bürgerbräukeller në Mynih, i djersitur dhe i zemëruar – për këtë arsye e quanin “Qemirja e lagur” – i vuri flakën me plot urrejtje 50 personave të pranishëm.

Le të shohim se cilën rrugë e ndjekim. Deklarata e Seviljes e vitit 1986 erdhi në përfundim se “biologjia nuk e dënon njerëzimin me luftë dhe se njerëzimi mund të çlirohet nga skllavëria e pesimizmit biologjik dhe të fuqizohet me besim për t’i ndërmarrë detyrat transformuese të nevojshme në këtë Vit Ndërkombëtar të Paqes dhe në vitet në vijim.”/El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala