Foto: Miroslav Lajçak/Facebook
Lajçak: Po përgatitemi për takimin e 14 shtatorit në Bruksel
Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet më 14 shtator.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se përgatitjet për këtë takim veçse kanë filluar.
“Diskutimet tona do të vazhdojnë dhe ne po përgatitemi për takimin e liderëve në Bruksel më 14 shtator për një raund tjetër bisedimesh në nivelin më të lartë” – tha Lajçak në postimin e tij në Facebook.
Ai kujtoi takimin e tij që pati në Bled me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“Folëm për përgatitjet për Takimin e radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të datës 3 qershor” – tha Lajçak.
Tutje ai shtoi se në këtë takim gjithashtu ngriti shqetësimet e tija për situatën në veri të Kosovës.
“Nga Bled, fluturova për në Beograd, ku u takova me presidentin Aleksandar Vuçiq” – shtoi emisari i BE-së.
Lajçak tha se me presidentin e vendit fqinj folën në detaje për përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut.
“I kujtova të dy liderët se të gjitha Marrëveshjet e Dialogut mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët dhe duhet të zbatohen plotësisht pa asnjë kusht apo vonesë” – tha Lajçak.
Për takimin fillimisht kishte njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.
Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
Gjatë konferencës së tij, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.
“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar këtë javë që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë këto komente në një konferencë për shtyp pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës.