Ilustrim - Arkiv

Kosovë: Gratë e kthyera nga Siria e Iraku nuk dëshirojnë të punësohen

Insitucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur ti bindin gratë e kthyera nga Siria dhe Iraku që të punësohen dhe të krijojnë të hyra ekonomike.

Të dhënat e sigururara nga KALLXO.com tregojnë që gratë të cilat u kthyen në mënyrë të organizuar nga zonat e luftës vazhdojnë të jenë të varurra nga ndihmat sociale dhe pakot ushqimore ndërsa zyrtarët konstatojnë që një pjesë e tyre kanë refuzuar të përfshihen në procesin e punës.

Të dhënat tregojnë që  nga viti 2018-2021, 56 persona kanë qenë të dënuar për vepra që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizëm.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht në burgjet e Kosovës në vuajtje të dënimit janë edhe 26 të dënuar për veprat e lartpërmendura.

Në anën tjetër 32 burra dhe 28 gra të cilat janë akuzuar e dënuar për vepra të cilat ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin janë liruar nga mbajtja e dënimit.

Këto statistika i ka ofruar për KALLXO.com, Shërbimi Sprovues i Kosovës të cilët merren edhe me ri-integrimin dhe ri- socializimin e të dënuarve brenda burgjeve të Kosovës.

Nga burrat e liruar me kusht, ka pasur edhe të tillë që kanë qenë në vuajtje të dënimit për një kohë e më pas janë liruar nga mbajtja e dënimit.

Sipas Drejtoreshës së këtij shërbimi, Metije Ademit, të gjithë të liruarit me kusht kanë pasur qasje korrekte brenda institucionit ndërsa disa nga ta janë edhe të punësuar pasi u liruan.

“15 janë punësuar por edhe vetëpunësuar”, thotë Ademi për KALLXO.com deri sa shpjegon tutje se për pjesën tjetër nuk kanë ndonjë informacion se çka punojnë.

Ademi përmend faktin se gratë e dënuara me kusht mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës.

“Mbikëqyrja e këtyre 28 grave, kryesisht ka ardhur sipas rekomandimit nga gjykata për ndonjë këshillim psikologjik”, tregon tutje drejtuesja e Shërbimit Sprovues të Kosovës, Metije Ademi.

Sipas Ademit mbikëqyrja e trajtimi i grave por edhe burrave që kanë qenë të dënuar me kusht për vepra që ndërlidhen me terrorizëm është bërë në bashkëpunim me Divizionin për Ri- integrim dhe Parandalim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ne kemi bashkëpunuar me këtë divizion dhe këta kryesisht na kanë rekomanduar që me i dërgu në qendrat e shëndetit mental që janë në komunitet, që janë të tipit të hapur, kemi marrëveshje të bashkëpunimit me ta”, shpjegon tutje procesin Ademi.

Në lidhje me procesin e rehabilitimit e ri- integrimit të të dënuarve me kusht për terrorizëm, Ademi përmend edhe bashkëpunimin ndër institucional.

“Kemi bashkëpunim me zyrat e punësimit dhe shumë institucione të tjera. Të gjithë ata që kanë shpreh vullnet dhe gatishmëri i kemi qu në trajnime të ndryshme”, tregon tutje Ademi.

Gratë të cilat janë rikthyer nga zonat e konfliktit e që janë liruar me kusht janë përballur edhe me probleme të ndryshme.

Ademi përmend se ka pasur raste kur familjet nuk i kanë pranuar vajzat e tyre për shkak të shkuarjes në zonat e luftës.

“28 të dënuarat me kusht kanë marrë ndihma sociale, kanë kryer trajnime rrobaqepësi, u kemi dërguar fëmijët në trajtime psikologjike. Ato nuk kanë shpreh dëshirë të punësohen, disa prej tyre nuk i pranoj as familja. Për shkak të veprave që i kanë kryer”, shton tutje Ademi ndërsa përmend edhe faktin se kanë punuar në ri- integrimin e tyre me të gjitha mundësitë.

Fëmijët e grave që janë rikthyer të gjithë sipas Ademit vijojnë mësimet në shkollat e Kosovës.

“Fëmijët kanë pa dhunë, këta fëmijë dojnë trajtim të veçantë, shkollat ku janë këta fëmijët dojnë një trajtim të veçantë”, shpjegon procesin Ademi.

Ajo tregon edhe për gjendjen ekonomike dhe sociale të grave të rikthyera.

“Çdo gjë jemi mundu aq sa kemi pasur mundësi. 28 gratë nuk i kanë kushtet e vështira se banesat paguhen nga divizioni dhe marrin edhe donacione e të tjera”, tregon Metije Ademi.

KALLXO.com javë më parë kishte publikuar edhe një raport për punësimin dhe aftësimin e personave të dënuar dhe të liruar për vepra të cilat ndërlidhen me terrorizëm.

Nga të dhënat që kishte pranuar KALLXO.com në atë rezultuan se disa prej të dënuarve kishin mbajtur trajnime të ndryshme profesionale gjatë vuajtjes së dënimit.

Nga të dhënat e siguruara nga SHKK  rezulton se 78% e të dënuarve për terrorizëm që ishin në vuajtje së paku nga viti 2018 – 2021 janë liruar nga vuajtja e dënimit ndërsa mbi 61% e të dënuarve (atyre të liruar dhe atyre që aktualisht janë në vuajtje), nuk kanë ndjekur ndonjë trajnim apo aftësim profesional gjatë vuajtjes së dënimit të tyre.

Shërbimi Sprovues i Kosovës është agjenci e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ky institucion bën pjesë në strategjinë për terrorizëm ndërsa përcaktohet saktë se cilat janë kompetencat e këtij shërbimi.

KALLXO.com në vazhdimësi ka treguar për problemet dhe sfidat e institucioneve për të trajtuar të rikthyerit nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Aktualisht trajtimi i të rikthyerve nga zonat e luftës mbikëqyret nga Ministria e Punëve të Brendshme ndërsa KALLXO.com ka evidentuar një mori mungesash dhe kapacitetesh në nivelin lokal për të trajtuar të rikthyerit.