Matja e përmbushjes së premtimeve nga qeverisja e Mehmet Ballazhit
Me një komunitet të vogël, Hani i Elezit është në mesin e komunave më aktive në realizimin e aktiviteteve që synojnë risocializimin e personave të kthyer nga luftërat e huaja.
Kur kandidonte në emër të PDK-së në zgjedhjet e fundit, Mehmet Ballazhi, kishte premtuar se kishte një plan për trajtimin e kësaj problematike por të cilin nuk e kishte shpalosur para qytetarëve në debatin zgjedhor kur ishte pyetur për këtë temë.
“Ne do t’i marrim të gjitha masat dhe do të krijojmë hapësirë që ata të integrohen ashtu siç duhet brenda shoqërisë. Por nuk është vetëm kjo çështja e të rikthyerve nga zonat e luftës, por sidomosë aktivitetet e rinisë në përgjithësi” t kishte thënë Ballazhi në fushatë.
Shtatë muaj pasi mori pushtetin, Komuna ka realizuar një varg të aktiviteteve në këtë fushë.
Në muajin maj është organizuar një tryezë diskutimi për radikalizmin, me kërkesën e Ambasadës Britanike. Sipas Ballazhit, në të kanë marrë pjesë edhe disa faktorë tjerë të shoqërisë në Han të Elezit.
“Në fillim të majit, ka qenë një kërkesë nga Ambasada Britanike për me e organizu një tryezë për këta persona. Me 15 maj është mbajtë ky takim. Kanë qenë të pranishëm Ambasada Britanike, nga Ministria e Punëve të Brendshme, kemi pasur shumë faktorë, policia, bashkësia islame, rinia dhe kanë qenë të kënaqur”, thotë Ballazhi.
Ndërsa Amir Bushi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Han të Elezit, për KALLXO.com, ka thënë se me punëtorinë e mbajtur në muajin maj, Hani i Elezit është komuna e parë me të cilën Ambasada e Britanisë ka filluar organizimin e punëtorive, me temën e formave të terrorizmit, parandalimin dhe procesin e riintegrimit.
“Projekti i Ambasadës Britaneze është organizimi i punëtorive, ku e filluan me Komunën e Hanit të Elezit e që të pranishëm ishin drejtoritë komunale, përfaqësues të shoqërive civile, përfaqësues të Policisë , Vijës së Gjelbër dhe FSK-së, nga Bashkësia Islame etj.. Në këtë punëtori, u diskutuan njohjet e formave të terrorizmit, parandalimi dhe procesi i riintegrimit. Domethënë, projekti i tyre përfshin vetëm mbajtjen e punëtorive për këto pika”, ka bërë të ditur Bushi.
Hani i Elezit, thotë Bushi, ka pasur takime të ngjashme edhe në 23 qershor të këtij viti, ku është organizuar një punëtori përmes Departamentit për Riintegrim në kuadër të MPB-së dhe në bashkëpunim me organizatën IOM, ku temë ka qenë pikërisht ri-integrimi i personave që kanë pasur problem me ligjin.
Ndërsa kryetari Ballazhi, thotë se për këto fenomene mbajnë takime të shpeshta edhe me Këshillin e Veprimit Rinor Lokal të komunës.
“Për këto fenomene kemi mbajtur takime të shpeshta, është një udhëheqës i KVRL që me të kemi raporte shumë të mira. Përmes tij implementojmë idetë, bashkëpunojmë për çfarëdo që e shohin ata të arsyeshme”, ka thënë Ballazhi.
“E kemi pasur javën kulturore, kemi kyçur qindra të rinj, kemi shfaqë një dokumentar për një vrasje të vitit 1995 të Naser Pllanës. Ka pasur rreth 500 pjesëmarrës, por jo vetëm të rinj”.
Kryetari i KVRL-së në Han të Elezit, Visar Hasallari, ka thënë se për vitin 2022, në bashkëpunim me Komunën me 6 maj është hapur thirrja ‘M4Y’, me anë të së cilës të rinjtë mund të jenë përfitues në programin që mundëson zhvillimin e aftësive në kategoritë e granteve, trajnimeve dhe vullnetarizmit.
Risocializimi në Hanin e Elezit tregon edhe shembuj interesant ku me ndihmën e komunës të rikthyerit kanë nisur të punësohen.
“Aktualisht një i rikthyer merret me shitjen e farave dhe të njëjtit komuna i ka siguruar një hapësirë publike” thotë Ballazhi
Diçka e re në qeverisjen e Ballazhit të PDK-së ishte ndriçimi i qytetit me rastin e festës së Vitit të Ri. Kjo nuk kishte ndodhur më parë në qytetin e Hanit të Elezit.
Kjo sipas Ballazhit erdhi për të vërtetuar edhe nëse tek qytetarët ekziston radikalizmi ose ekstremizmi i dhunshëm qoftë ai fetar.
“Hani i Elezit është parë si një vend i veçantë, ku janë zhvillu këto fenomene negative dhe kur e kam bo ndriçimin, e kam bo edhe me një qëllim tjetër, që ta shohim me të vërtetë se sa ka radikalizëm apo esktremizëm. Mirëpo nuk ka pas asnjë incident, kam pas një ‘feedback’ prej qytetarëve që e kanë pritur shumë mirë”, ka thënë Ballazhi.
Ai thotë se ishte përballur me disa akuza në opinion se po vepron kundër fesë islame. E për këtë arsyeje ai dha edhe një ide por që mjetet do t’i ndante organizata joqeveritare IOM.
Në prag të muajit të Ramazanit, u ndriçuan edhe minaret e xhamive të Hanit të Elezit.
“Për vitin e ri, kur kam bo ndriçimin e qytetit, u kriju një disbalancë se ‘ky po del kundër islamit’. Unë vetë jam mysliman, nuk ishte qëllimi aty. Por për me balansu që me i ndriçu xhamitë, pak para muajit të Ramazanit”, tha Ballazhi.
Në anën tjetër, krahas bashkëpunimit me IOM-in janë ndarë disa projekte të cilat kanë qenë të destinuara në fokus për personat që përballur me ligjin.
Një rast që përmend është projekti me kultivimin e bletëve të cilën e ka përfituar një person.
“Gjithashtu është një person që i ka pasur disa probleme me ligj, jemi marrë me të. Unë personalisht e kam takuar disa herë. Ai ka fitu një projekt nga IOM për bleta, ma ka sjellë edhe një dhuratë mua si falënderim, për bashkëpunimin që e kemi pasur”, u shpreh ai.
Ballazhi bën të ditur me 23 qershor është ftuar për takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, në komunën e Mitrovicës, por që ai ka kërkuar që takimi të mbahet në Han të Elezit.
“Tash, për të enjten më ftuan me mbajtë në Mitrovicë takim me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi. Por i thash jo, hajdeni në Han të Elezit. Tani ideja është që me u mbajtë këtu, është një zhvillim i mirë që me pa të rinjtë se si mbahen takimet. Kanë me marrë pjesë disa komuna, si Kaçaniku apo Mitrovica” ka thënë Ballazhi.
Ai bën të ditur gjithashtu se në qershor është realizuar edhe një thirrje për grante për të rinjtë e komunës me emrin ‘Komuna për të rinjtë’, në të cilën kanë përfituar 5 organizata.
Shuma totale e grantit ka qenë 24 mijë e 500 euro.
Ballazhi ka premtuar se të gjitha organizatat rinore dhe joqeveritare në përgjithësi do të iu sigurojë nga një zyre në Shtëpinë e Kulturës, që sipas tij është afër përfundimit.
“Jemi duke bërë një aktivitet shumë të madh që me i fut në aktivitete. Janë formu ekipe të karates, volejbollit. Është futbolli po ashtu, si dhe mundja.Këto janë aktivitetet që na po mundohemi që të rinjtë mos mu kap me rrugën por me aktivitete”.