Nevoja për trajtim psikiatrik për të rikthyerit nga zonat e luftës

Shkuarja nga Kosova në Siri, një nëne nga Kosova i kushtoi me humbje të fëmijës 3 muajsh, Përveç një zone të luftës, edhe vdekja e fëmijës, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ia rëndoj gjendjen psikike edhe më shumë.

E njëjta, u dënua edhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”. Lindita Keçekolla- Gashi, kishte qenë avokate, në këtë rast e cila tregon, se gjendja emocionale e klientes së saj ishte shumë e rënduar, kur ishte kthyer në Kosovë, gjatë vitit 2019.

Por, Keçekolli – Gashi, thotë se me aktgjykimin, me të cilin trupi gjykues e shpalli fajtore, klientes së saj iu obligua edhe paraqitja tek psikologu. “Gjendja psikike e saj kur është riatdhesuar në Kosovë ka qenë shumë e rëndë, për shkak se e njëjta ka humbur edhe një fëmijë, gjatë qëndrimit në Siri, për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, klientja ime është urdhëruar të paraqitet në vizitë tek psikologu ose të këshilluesit tjerë për 2 vite e 6 muaj”, shprehet ajo.

Por, me një trajtim të tillë, A. GJ, i cili ishte nisur për në Siri, por që rrugëtimi iu, ndërpre në gjysmë, shkaku i arrestimit nga autoritetet e Turqisë.  Avokati, Berat Tmava thotë se klientit të tij, i cili gjendet në paraburgim, nuk iu ofrua asnjë trajtim nga institucionet.

Tmava thotë se klienti i tij insiston që të integrohet në shoqëri, por nuk po gjen përkrahje për këtë.

“Sa kemi dijeni, shume pak ka pasur trajtime sa i përket gjendjes shëndetësore e mendore të tij edhe pse gjatë vizitës që ia kam bërë në Qendrën e Paraburgimit në Dyz, sipas mendimit tim personal i njëjti është shumë stabil dhe me çdo kusht dëshiron që të integrohet në shoqëri dhe të jetë i dobishëm për rrethin ku jeton… Nuk kam dijeni lidhur me trajtimin psikik që ka marrë i mbrojturi im”, është shprehur ai.

Trajtimi mendor tek personat e riatdhesuar nga zonat e luftës, po shihet si urgjent nga profesionistët shëndetësor.

Sami Rexhepi, psikiatër e drejtues i qendrës së shëndetit mendor, në Prishtinë tregon për pasojat që mund të ketë mostrajtimi i duhur e me kohë, në aspektin  psikik, për këtë kategori.

“Pasojat janë shumë të mëdha, sepse e para nuk do jenë funksional në mjedisin në të cilin janë kthyer, do të jenë të stigmatizuar, të paragjykuar dhe nuk do të kenë guximin me u rikthye në shoqërinë që kanë qenë përpara”, shprehet Rexhepi, teksa thotë se kjo çështje duhet të merret më seriozisht nga institucionet.

Që institucionet e vendit duhet të merren më seriozisht e thotë edhe avokati, Berat Tmava.

“Në cilësinë e avokatit mendoj se pak është bërë për këta persona sa i përket trajtimit të tyre e po ashtu mendoj se për të u integruar në shoqëri dhe të jenë të dobishëm për rrethin ku jetojnë, shteti duhet të u jap më shumë prioritet, të angazhohen ekspertë të ndryshëm që të njëjtit perona të merren me aktivitete të ndryshme e të dobishme, të ju sigurohet një vend pune që ju përshtatet”, u shpreh Tmava, duke shtuar se sipas tij, paraburgimi apo dënimi me burgim për këta persona nuk është i duhuri.

Psikiatri Sami Rexhepi thotë se as profesionistet të cilët merren me këto rast, nuk duhet të jenë të çfarëdolloj, por duhet të jenë të përzgjedhur, si shkak i ndjeshmërisë që ka kjo kategori e personave.

“Kjo kategori duhet të ketë qasjen e veçantë dhe duhet të jenë një grup i profesionistëve shëndetësor që do merren me ta.. Kur kthehen nga zonat e luftës është dashur të bëhet planifikimi, për aspektin mendor, për shkak të ngjarjeve e të përjetimeve atje, ata janë të traumatizuar, posaçërisht duhet me i përgatit për risocializimit dhe rikthim familjar, por edhe shoqërisë, e për punë ku ata do vazhdojnë. Ky segment është shumë i rëndësishëm, duhet të punohet me punë individuale edhe ata që janë rikthyer por edhe me familjarët e tyre”, shton tutje, ai.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, nuk janë përgjigjur në lidhje me trajtimin mendor të këtyre personave dhe se çfarë konkretisht është bërë për këtë. Ashtu sikur edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka zgjedhur të heshtë karshi kësaj çështje.

Dy shtetas të Kosovës, janë të fundit që kanë marr rrugë nga Siria për në vendlindjen e tyre. Ata u kthyen nga zonat ku po zhvillohet edhe më tutje lufta. Riatdhesimin e tyre, e konfirmoj ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës,

Xhelal Sveçla, i cili tha se kjo është vazhdimësi e punës së rikthimit dhe riintegrimit të qytetarëve nga viti 2019.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë sot kthyem dy shtetas tanë nga zonat e konfliktit në Siri”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.

Megjithatë as në këtë rast nuk u dhanë shumë detaje, as për trajtimin e tyre, as asgjë. Kjo u tha se po bëhet për të respektuar  “privatësisë së të kthyerve dhe familjarëve të tyre”. Kosova vazhdimisht ka riatdhesuar persona nga Siria e Iraku, por për ta nuk është folur shumë në publik.

Institucionet përgjegjëse edhe më tutje vazhdojnë të vendosin barriera, për këtë kategori, e sidomos për trajtimin që ata i nënshtrohen, pasi të vijnë në Kosovë.

Ky artikull është realizuar në kuadër të programit Resilient Community, i cili realizohet nga një konsorcium organizatash i përbërë nga BIRN, PEN dhe PIPS, dhe që udhëhiqet nga ATRC. Programi mbështetet nga USAID dhe Ambasada e Holandës përmes programit GCERF.