Modelet e testuara të risocializimit të fëmijëve
Kosova është një nga vendet që ka pasur një numër të konsiderueshëm të personave të cilët i janë bashkangjitur luftërave të huaja në vendet si Siria e Iraku. Sipas statistikave më shumë se 400 kosovarë kanë marrë pjesë në zonat e luftës në Siri e Irak. Shumë nga këta persona janë kthyer, mirëpo ka edhe shumë të tjerë që janë shpallur të vdekur nga familjet për shkak të njoftimeve jo zyrtare që këta persona kanë vdekur në zonat e luftës.
Tani procesi i riintegrimit dhe i risocializimit të këtyre personave mbetet një nga çështjet më me rëndësi dhe shumë e ndjeshme në të cilën duhet punuar. Mundësitë për adaptimin e modeleve ndërkombëtare në trajtimin e problemeve të riintegrimit dhe risocializimit të këtyre personave konsiderohet si një mundësi e mirë. Problemet kryesore me të cilat ballafaqohen këta persona janë: riintegrimi në shoqëri, shkollimi dhe aftësimi profesional e deri tek gjetja e një vendi të punës.
Shtetet si Suedia dhe Finlanda janë shembujt më të mirë që mund të shërbejnë si mundësi për të adaptuar modelet e projekteve në procesin e risocializimit dhe riintegrimit.
Pikat kryesore në të cilat janë fokusuar këto vende në këtë proces janë, komunat, agjencitë për bashkëpunim dhe organizatat joqeveritare. Ky trekëndësh ka funksionuar si mekanizëm i quajtur “Entre”, ku personat e përfshirë në ekstremizëm të dhunshëm brenda dhe jashtë vendit pas përfundimit të riatdhesimit janë mbështetur automatikisht me sigurimin e vendstrehimit, studimit dhe angazhimit në punë vullnetare ose pozita të ndryshme në organizata joqeveritare në vend, në projekte që lidhen direkt me këtë temë ku financues direkt kanë qenë komunat dhe agjencitë për bashkëpunim.
Edhe pse Kosova renditet mirë në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm që të shpie në terrorizëm, raportet ndërkombëtare si ai i Departamentit të Shtetit Amerikan kanë theksuar mungesën e fondeve dhe kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të luftuar këto fenomene dhe të gjitha problemeve që ndërlidhen me riintegrimin e personave që janë përfshirë në këtë fenomen po e pamundësojnë zhvillimin e këtij procesi.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e cila është një nga autoritetet përgjegjëse edhe në kuadër të Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm po ofron shërbime të mirëqenies sociale dhe shërbime të punësimit dhe të aftësimit profesional për këtë kategori të personave.
Ylber Aliu, zyrtar nga departamenti për shërbime sociale në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve tha se: “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ofron shërbime të mirëqenies sociale dhe shërbime të punësimit dhe të aftësimit profesional për këtë kategori të personave. Për shumicën e këtyre kategorive, Qendrat për Punë Sociale ofrojnë shërbime sociale me qëllim që të ndihmohen individët apo familjet për të përmirësuar rrethanat sociale dhe ndër njerëzore”.
“Këto shërbime nuk janë të lidhura domosdoshmërisht me përkrahje materiale. Përveç këtyre shërbimeve, QPS-të ofrojnë edhe disa shërbime të tjera të cilat janë të lidhura me përfitime materiale, si ndihma sociale, strehimi familjar dhe përkrahja materiale për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme 0-18 vjeç. Bazuar në të dhënat që posedojmë aktualisht janë 29 familje (nëna vetushqyese) me 92 anëtarë që janë kthyer nga zonat e luftës dhe përfitojnë nga skema e ndihmës sociale. Familjet që janë përfituese të skemës së ndihmës sociale, ju subvencionohet një përqindje e energjisë elektrike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu shërbimet mjekësore në institucionet publike i kanë falas”, u shpreh ai.
Sa i përket projekteve të cilat do kenë qëllim stabilitetin dhe riintegrimin e kësaj kategorie Aliu u shpreh se baza për ofrimin e shërbimeve ka qenë në: Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm (2015 – 2020).
Strategjia ka përcaktuar objektivat strategjik dhe specifik në nivel të Qeverisë dhe të Ministrive të linjës për qasjen ndaj personave të kthyer nga luftërat në shtetet tjera.
Andaj të gjitha nismat po bazohen në këtë strategji.
“Sa i përket problemit të punësimit dhe edukimit, Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë/Qendrat korrektuese, për monitorimin nga ana e QAP të ofrimit të shërbimeve te trajnimit ne kabinetet e qendrave korrektuese, mbështetja në furnizim i te njëjtëve me teste përkatëse për profesionet që zhvillohen, planin e kursit, pakot mësimore, si dhe monitorimi i testimit të kandidatëve. Kurse lëshimi i certifikatave për kandidatët që përfundojnë trajnimin, sipas marrëveshjes bëhet nga QAP. Bazuar në të dhënat e QAP-ve gjatë vitit 2021 numri i kandidatëve që janë në mbajtje dhe vijojnë trajnimet në Qendrat Korrektuese (QK) të vendit është 79 persona”, tha Aliu.
Në anën tjetër Komuna e Hanit të Elezit e cila është një nga komunat e prekura nga fenomeni ka nisur një proces i cili synon të pilotohet në Kosovë.
Bashkim Sopa zëdhënës në Komunën e Hanit të Elezit u shpreh se përkundër që komuna nuk ka ndonjë model konkret për trajtimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie ata po gjejnë forma për të ja dalë me problemet e këtyre personave në aspektin e riintegrimit.
“Komuna e Hanit të Elezit ka 3 fëmijë të rikthyer nga luftërat dhe me këta fëmijë jemi marrur në Qendrat për Punë Sociale ku së bashku me Departamentin për Riintegrim dhe bashkëpunimit të mirë me OJQ dhe institucionet tjera komunale kemi arritur që këta fëmijë sot të jenë të socializuar mirë”, tha ai.
“Sa i përket mundësive për të adaptuar ndonjë model për trajtimin e problemeve për këtë kategori Sopa u shpreh se zyrtarët për punë sociale në atë komunë janë trajnuar nga ndërkombëtarët për rehabilitim dhe risocializimin e këtyre personave dhe këto njohuri jenë munduar ti përdorin aq sa kishin mundësi”, shtoi tutje Sopa.
Ndërsa sa i përket programeve konkrete Sopa tha se si komunë nuk kanë ndonjë hapësirë, por se familjarëve e të gjithë të rikthyerve së bashku me Departamentin për Riintegrim po mundohen t`ju ndihmojnë përmes granteve.
Kosovës i mbetet padyshim shumë për të bërë në fushën e risocializimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga luftërat e huaja. Gjetja e alternativave për adaptimin e modeleve ndërkombëtare në praktikat vendore krijon hapësirë më të mirë për trajtimin e problemeve të risocializimit.