Një vend ku u kryen përdhunime në Bosnjë

Komision për Përdhunimet e Luftës në Bosnjë

Entiteti i Federatës në Bosnjë planifikon të krijojë një komision të ri për të përcaktuar nëse viktimat e përdhunimeve gjatë luftës kanë të drejtë të kompensohen, por shoqatat e viktimave mbeten skeptikë për rezultatin e kësaj.

Qeveria e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinë, një nga dy entitetet e Bosnjës, po planifikon të krijojë një komision për të vlerësuar nëse viktimat e përdhunimit gjatë luftës në vitet 1990 kanë të drejtë kompensimi.

Komisioni do të përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë një psikolog, një psikiatër dhe një avokat. Ata do të emërohen për një periudhë prej katër vjetësh.

Projektligji që do të themelojë këtë organ është miratuar nga Dhoma e Popullit të Federatës dhe duhet të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve në fund të prillit.

Krijimi i komisionit do të lejojë “përcaktimin e së vërtetës me një proces të vetëm administrativ dhe ligjor”, tha për mediat ministri i Punës dhe Politikave Sociale të Federatës, Vesko Drljaca.

Edhe pse statistika të besueshme nuk janë të disponueshme, thuhet se mijëra gra u përdhunuan gjatë konfliktit boshnjak, me shifra që variojnë nga 20,000 sipas Bashkimit Evropian deri në 50,000 sipas Ministrisë se Brendshme boshnjake.

Pavarësisht shkallës së dukshme të këtij problemi, autoritetet e Bosnjës nuk i kanë kompensuar viktimat e këtyre krimeve.

Republika Serbe, entiteti serb i Bosnjës, ka refuzuar gjithmonë të njohë përdhunimet e ndodhura gjatë kohës së luftës, ose të ofrojë kompensim për viktimat e tyre.

Autoritetet e Federatës filluan t’i njihnin viktimat e përdhunimeve si viktima civile të luftës vetëm në vitin 2006.

Por vetëm rreth 850 qytetarë boshnjakë e kanë marrë këtë status dhe kompensim mujor deri në 270 euro, raportoi Aljazeera Balkans.

Sipas legjislacionit aktual, për t’u njohur si viktimë lufte, kushdo që ka vuajtur nga një përdhunim gjatë kohës së luftës duhet të ekzaminohet nga Instituti për Raport Mjekësor.

Sipas Drljaca, kjo lloj procedure nuk ka shumë justifikim më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës.

“Mjekët që janë anëtarë të Institutit për Raport Mjekësor nuk duan të analizojnë më viktimat e përdhunimeve të luftës,” tha Drljaca, duke shtuar se “20 vjet pas përfundimit të luftës, ata mendojnë se nuk ka mundësi teknike e as mjekësore për të vlerësuar në mënyrë të qartë nëse ka ndodhur një përdhunim”.

Megjithatë, përfaqësues të shoqatës së viktimave mbeten skeptikë për rezultatin e mundshëm të komisionit të planifikuar.

“Do të duhet të shohim si funksionon ky komision dhe se kush thirret për ta formuar atë. Nëse sillet profesionalisht, ai mund të ndihmojë viktimat. Në të kundërt, ekziston rreziku që ata të traumatizohen edhe një herë,” tha për BIRN Jasna Zeceviq, presidente e OJQ-së Vive Zene nga Tuzlla, e cila ndihmon viktimat e përdhunimeve të kohës së luftës.

Ajo tha se problemi më i madh është se autoritetet boshnjake u përpoqën shumë vonë për ta trajtuar këtë problem.

“Një gjë e tillë duhet të ishte bërë 20 vjet më parë,” tha Zeceviq, duke u ankuar se deri më tani “kjo çështje është lënë në duart e politikanëve, jo ekspertëve.”