Kurti takon përfaqësues të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, diskutohen marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit

Gjatë qëndrimit në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiq dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviq.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, tema qendrore e bisedës ishte Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

“Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina”- thuhet në njoftim.

Kurti me përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjës diskutuan edhe rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit.

Më 8 nëntor 2023, kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes që organizohet në Paris.

Ai më 9 nëntor 2023, bashkë me bashkëshorten e tij, Rita, janë pritur në Pallatin Élysée, nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe zonja e parë e Francës, Brigitte Macron.