Majlinda Bregu - Foto: REL/EPA-EFE

Bregu: Hiqen vizat mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ka njoftuar se në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje mes ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bregut, marrëveshja e parë është ajo që garanton lëvizjen me ID të njerëzve midis vendeve, e dyta është që studentët nuk do të paguajnë më gati 500 euro për të njohur diplomat brenda rajonit si dhe sipas marrëveshjes së tretë mjekët, dentistët dhe arkitektët mund të punojnë kudo në rajon pa pengesa.

“Ja praaa, kur ka vullnet ka rrugë, 3 marrëveshje për të cilat kemi punuar gjatë panë dritën e gjelbër sot. Marrëveshja për Lëvizje me letërnjoftime shemb murin e fundit të vizave të mbetur në rajon, atë mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”, ka shkruar ajo në Twitter.

Bregu ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë qytetarët nuk do të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në Bosnjë-Hercegovinë.

Qytetarët e Kosovës deri më tani për të vizituar Bosnjë e Hercegovinën i është dashur të pajisen me vizë nga ky vend.