Foto: Kallxo.com

Haxha i kërkon falje deputetes Blerta Deliu Kodra për deklaratën e djeshme

Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Shyqyri Haxha, i ka kërkuar falje deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra për deklarimin e djeshëm para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Përkundër se dje ai i kishte qëndruar deklaratës së tij, sot ai ka thënë se e tërheqë atë.

Përmes një statusi në Facebook, Haxha ka thënë se deklarimi i tij, se deputetja Deliu Kodra i ka kërkuar të punësojë dikë në Telekom ka qenë nën efekt[afekt].

“I kërkoj falje deputetes Blerta Deliu – Kodra rreth deklaratës së djeshme në Komisionin Hetimor në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. Kam respekt për deputeten dhe deklarata ime ka qenë nen efekt dhe si të tillë e tërheq atë deklaratë”, ka shkruar ai.

Intervistimi i Haxhës kishte filluar në orën 10:00 dhe kishte përfunduar rreth orës 17:00, me vetëm një orë pushim. Gjatë kësaj kohe, deputetja Deliu-Kodra, dy herë kishte kërkuar nga Haxha që ta tërheqë deklaratën e tij. Por Haxha nuk e kishte bërë këtë.

Më poshtë janë disa nga thekset kryesore të polemikës ndërmjet deputetes dhe ish-kryeshefit të PTK-së:

Deliu-Kodra: Po du edhe një herë me ngritë çështjen që e ka thënë gjatë pjesës së parë që unë e kam punësu dikë në PTK. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është shpikur. Sot gjatë gjithë ditës ka qarkullu emri im nëpër medi në vend që të merren me dështimet dhe paratë e harxhuara në PTK. Po kërkoj prej juve që me demantu këtë. Unë nuk jam taku asnjëherë me z.Haxha, për kohën kur po flisni unë kam qenë gazetare.

Haxha: Unë çka pata me thonë e thashë. Nuk du me thonë diçka më shumë. Mos e merrni shumë personale, se mu mediat më kanë mbajtë në ballina.

Deliu-Kodra: Unë nuk du me qenë në media për diçka që e keni shpikë. Unë nuk kam kërku asnjëherë me u punësu dikush në PTK.

Deliu-Kodra: Unë do të inicoj padi.

Haxha: Kjo ka ndodhë në një manifestim të PTK-së në sheshin 21.

Deliu-Kodra: Unë asnjëherë nuk kam qenë në një manifestin të PTK-së.

Haxha: Kjo është e vërtetë, ju në manifestim më jeni ofru si shumë të tjera.

Një ditë pas këtyre polemikave mes Haxhës dhe Deliu-Kodrës, Haxha e ka tërhequr këtë deklaratë. Tërheqja e deklaratës nga ana e Haxhës ka nxitur reagime te qytetarët, të cilët kanë komentuar në postimin e tij.

Foto: Shyqyri Haxha/Facebook
Foto: Shyqyri Haxha/Facebook
Foto: Shyqyri Haxha/Facebook

https://kallxo.com/shyqyri-haxha-deputetes-me-ke-thane-me-punesu-dike-ne-telekom/

https://kallxo.com/vazhdon-polemika-haxha-deliu-kodra-rreth-punesimeve-ne-telekom-video/

.