Gjykata Supreme: Lirimi i Sali Mekaj i jashtëligjshëm

Gjykata Supreme  ka gjetur se ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj u lirua nga akuzat me shkelje ligjore.

Në aktgjykimin e saj të fundit Gjykata Supreme ka dalë me një konstatim me anë të të cilit ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit lidhur me rastin ndaj ish kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit janë marrë me shkelje të ligjit penal në pjesën që i përket të pandehurit Sali Mekaj për veprën penale ushtrimi i ndikimit dhe të pandehurës Vlora Gorani për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit .

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë të datës 28 maj 2018, janë liruar nga akuza ish kryetari i Gjykatës së Apelit Sali Mekaj si dhe e akuzuara Vlora Gorani.

https://kallxo.com/sali-mekaj-pafajshem-ne-rastin-e-fajdeve/

Sali Mekaj akuzohej për veprën penale ushtrimi i ndikimit ndërsa Vlora Gorani akuzohej për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit.

Edhe tre te akuzuarit  e tjerë V.G., M.S. dhe A.S. të akuzuar për veprën penale në bashkëkryerje dhënia e ryshfetit ishin liruar nga akuza që u vihej në barrë.

Më shumë se pesë muaj pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore e cila Sali Mekaj dhe të tjerët i kishte gjetur të pafajshëm.

Ndërsa pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria e Shtetit kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Më pas Gjykata Supreme pas shqyrtimit të  shkresave të lëndës ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar pjesërisht.

Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj ka konstatuar se nga përgjimet e bisedave telefonike vërtetohet se të pandehurit Sali Mekaj dhe Vlora Gorani, së paku një herë kanë biseduar përmes telefonit në mënyrë që Sali Mekaj të takohej me gjyqtaren L. M., ekskluzivisht për ta biseduar çështjen e F.D., bashkëshortit të Vlora Goranit i cili ishte i akuzuar për veprat penale shtytja në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë dhe veprës penale vrasje në tentativë.

Në aktgjykim përshkruhet rrjedha e bisedave të përgjuara në mes të Sali Mekajt dhe gjykatëses L.M., e lidhur me këto përgjime, Gjykata Supreme ka konstatuar se ndonëse Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë vendimet e veta i kanë bazuar edhe në këtë provë, që do të thotë se përmbajtën e këtyre bisedave nuk e kanë kontestuar, kanë nxjerrë konkludim të gabuar lidhur me këtë provë.

“Megjithatë, kanë nxjerr konkludim të gabuar se e gjithë ajo që ka të bëjë me kontaktet në mes të pandehurve S.M. dhe V.G., tërësisht duhet të shikohet ndaras, të trajtohet vetëm si shkelje e Kodit të etikës, e jo të ndërlidhet me veprimet tjera inkriminuese që iu vihen në barë të pandehurve-ushtrimin e ndikimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Më tej Supremja përmend edhe arsyet e Gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë të cilat në aktgjykim japin arsyetimin se pasi që lëndët me paraburgim janë të natyrës urgjente, i pandehuri Sali Mekaj duke qenë në  cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Apelit, ka qenë i detyruar që të kërkojë nga gjyqtarët e të gjitha Gjykatave Themelore të Kosovës që sa më shpejt të procedojnë me këto lëndë.

Lidhur edhe me këtë fakt, Gjykata Supreme pas vlerësimit të kujdesshëm të rrethanave gjeti se kërkesa e Prokurorisë sa i përket kësaj pjesë është e bazuar, pasi që sipas kësaj Gjykate nuk ka dispozitë  e cila kryetarit të Gjykatës së Apelit i jep kompetenca për të gjitha Gjykatat tjera në Kosovë.

“Në Rregulloren mbi organizimin e brendshëm të gjykatave, e cila është marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës më datën 04.01.2013. bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për gjykatat, në nenin 4., ku përcaktohen përgjegjësitë e kryetarit të gjykatës, gjithnjë bëhet fjalë për përgjegjësitë e tij brenda gjykatës së vet dhe nuk ka dispozitë  e cila kryetarit të Gjykatës së Apelit i jep kompetenca për të gjitha gjykatat tjera në Kosovë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Sipas Gjykatës Supreme është i pambështetur vlerësimi i dhënë në aktgjykimin e shkallës së dytë se i pandehuri Sali Mekaj si kryetar i Gjykatës së Apelit ka kompetenca jashtë gjykatës së vetë, në gjykatat në tërë territorin e Kosovës.

Çështja tjetër e cila drejtë është vërtetuar por nuk është vlerësuar në mënyrë ligjore, sipas Gjykatës Supreme është edhe fakti se takimet me gjyqtaren L.M. e cila ka qenë e ngarkuar me lëndë, kanë qenë të shpeshta dhe pa dyshim në ato është diskutuar edhe çështja e F.D.(bashkëshortit të Vlora Goranit).

E sipas Gjykatës Supreme, Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë në aktgjykimet e veta në mënyrë të drejtë dhe të plotë kanë vërtetuar faktet vendimtare të çështjes konkrete por me lirimin e të pandehurve kanë nxjerr përfundimeve të gabuara për ekzistimin e veprës penale, që paraqet shkelje të ligjit penal nga neni 385.pika 4.të KPPK, pasi që kanë aplikuar ligjin i cili nuk ka mundur të aplikohet, sepse me aplikimin e drejtë të ligjit penal, sipas Gjykatës Supreme Sali Mekaj duhej të shpallej fajtor për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, pasi që sipas Gjykatës Supreme veprimet e tij paraqesin ushtrim të ndikimit si dhe e pandehura Vlora Gorani do të duhej të shpallej fajtore për veprën penale të shtytjes të ushtrimit të ndikimit.