Artistja Eliza Hoxha duke u kontrolluar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar. Foto: Kushtrim Koliqi/Facebook

Fotografive të Eliza Hoxhës u ndalohet hyrja në Serbi

Disa fotografi që përmbajnë flamurin e Kosovës dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë ndaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Një numër fotografish dhe një katalog ekspozite nga artistja kosovare Eliza Hoxha që përmbajnë flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë lënë ta kalojnë kufirin për në Serbi ku do të shfaqeshin në një ekspozitë.

Artikujt artistikë do të paraqiteshin në një ekspozite si pjesë e edicionit të sivjetmë të Mirëdita, Dobar Dan, një festival i përjetshëm që mbahet në Beograd dhe ka qëllim të nxisë shkëmbim kulturor mes artistëve nga Kosova dhe Serbia.

Agon Rexhepi, anëtar i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ka thënë se tri fotografi janë ndaluar në kufi pas kontrollave nga policia serbe.

“Fotografitë kanë qenë të mbështjellira, ama i kanë hallakatë… sigurt i ndalën tri fotografi, tjerat hala tu i kontrollu”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka thënë se gjësendet e tyre personale po ashtu janë kontrolluar nga autoritetet kufitare.

“Na kanë shti me dale krejtve jashtë, I kanë kontrollu krejt çantat edhe kuferat,” ka thënë ai, duke shtuar se të gjithë pasagjerët e autobusit më vonë e kanë kaluar kufirin.

Artistja Eliza Hoxha duke u kontrolluar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar. Foto: Kushtrim Koliqi/Facebook

Kushtrim Koliqi, njëri ndër organizatorët e festivalit, ka thënë se ngjarja e sotme tregon se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është fiasko.

“Të gjithë ata që sponsorizojnë dialogun duhet ta marrin këtë rast si shembull se asgjë nuk ka ndryshuar përveç faktit që disa burokratë politikanë takohen në Bruksel dhe nënshkruajnë dokumente pa vlera,” ka thënë Koliqi. “Për një moment mu kujtuan radhët e civilëve kosovarë para dhe gjatë luftës duke u radhitur e maltretuar nga njerëz që bartnin uniforma sikurse këta sot”.

Ndaj kësaj ndalese ka reaguar edhe ish kryesuesja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

“Marrëveshja e Brukselit për liri të lëvizjes e vitit 2011 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shkel sot sërish rëndë nga Serbia kur në kufi artistët e Kosovës u keqtrajtuan gjatë rrugës për një ekspozitë në Beograd. Kah po shkon Serbia? Me gjasë jo kah e ardhmja e europiane”, shkroi Edita Tahiri në Twitter.

Festival katërditor i artit parashihet ta prezantojë skenën kulturore shqiptare të Kosovës para publikut të Beogradit nga 30 maji deri më 2 qershor.

Sofija Todoroviq, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, një nga OJQ-të që organizon festivalin, tha se policia serbe u kishte garantuar atyre mbrojtje nga nacionalistët të cilët njoftuan se do ta ndërprisnin eventin.

“Ata thanë se nuk kemi arsye pse të shqetësohemi dhe se policia do të bëjë gjithçka siç duhet,” tha Todoroviq për BIRN.

Partia Radikale Serbe ultranacionaliste kërkoi ndalimin e festivalit në fillim të majit për “trajtimin e Kosovës si shtet i pavarur”, dhe tha se në të kundërt ajo do ta ndërpriste ndryshe eventin. Megjithatë, organizatorët thanë se festivali do të zhvillohet.

Të martën, ministria e brendshme serbe tha se kishte ndaluar tubimet që Partia Radikale Serbe kishte planifikuar të mbante gjatë festivalit, por radikalët thanë se do ta mbanin atë, njofton televizioni rajonal N1.

Artistja Eliza Hoxha duke u kontrolluar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar. Foto: Kushtrim Koliqi/Facebook

Ministria tha se kishte ndaluar tubimet për “arsye sigurie, shëndeti publik, morali dhe për të drejtat e të tjerëve”.

Në festival, i cili ka filluar që nga viti 2014, do të ketë edhe diskutime në lidhje me ardhmen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 – një lëvizje që Beogradi është zotuar se s’do ta njohë kurrë.

Përveç prezantimit të artit dhe kulturës bashkëkohore të Kosovës, “qëllimi i festivalit është që të iniciojë ndryshime dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi nëpërmjet takimeve midis komuniteteve sociale dhe kulturore serbe dhe kosovare,” thanë organizatorët në një deklaratë.

Ata besojnë se festivali mund të kontribuojë drejt normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Mirëdita, Dobar Dan! hapet me një film të Blert Zeqirit, “Martesa”, i cili fitoi dy çmime në festivalin e filmit Tallin Black Nights në Estoni nëntorin e kaluar.

Vizitorët do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin ekspozitën me fotografi dhe instalacione të Eliza Hoxhës, Between Dream and Reality, një shfaqje teatrore për mënyrën se si përpunohen kujtimet, CopeCope (Bits and Pieces), si dhe një debat me titull: “Kosova dhe Serbia: Çfarë jemi ne për njëri-tjetrin?”

Sipas Todoroviqit, vepra CopeCope trajton temën e dhunës kundër grave.

Artistja Eliza Hoxha duke u kontrolluar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar. Foto: Kushtrim Koliqi/Facebook

“Martesa” ndjek historinë e Bekimit dhe Anitës, një çift që organizon martesën e tyre ndërsa Anita pret lajme për prindërit e saj të cilët u deklaruan të zhdukur në luftën e Kosovës në vitin 1999, dhe ish i dashuri homoseksual i Bekimit kthehet nga Franca.

“Është një film për të drejtat e njeriut që prek tema që janë delikate në të dyja shoqëritë, në atë serbe dhe kosovare,” tha Todoroviq.

Simboli dhe frymëzimi për Mirëdita, Dobar Dan! është Bekim Fehmiu (1936-2010), një aktor shqiptar i Kosovës dhe jugosllav i cili gjithashtu ka fituar famë ndërkombëtare.

Organizatorët e përshkruajnë atë si “simbol të së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet e saj”.

Fehmiu, i lindur në Sarajevë dhe i arsimuar në Beograd, xhiroi filma në të gjithë ish-Jugosllavinë, si edhe në Itali dhe SHBA. Ai doli në pension në vitin 1987 në shenjë proteste kundër veprimeve anti-shqiptare të autoriteteve jugosllave.

Fehmiu është gjithashtu i njohur edhe për kujtimet e tij ‘Shkëlqim dhe Tmerr’, në të cilin ai ndër të tjera ai eksploroi marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ai vdiq në Beograd në vitin 2010.