Deputetja Hoxha - ministres Nagavci - 'Ke shkelur ligjin për arsimin parauniversitar'

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka shkaktuar të qeshura në  Kuvendin e Kosovës, përderisa ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për mungesë në seancë, ndërkohë që ajo ishte ulur në vendin e saj.

Hoxha tha se në seancën e kaluar erdhi ministrja por jo edhe deputetët, kurse sot deputetët kanë ardhur por jo edhe ministrja.

“Kjo seancë që është dashur të mbahet më 4 shtator, kjo lojë ping-pong e mazhorancës që në atë seancën e kaluar që erdhi ministrja por jo edhe deputetët, e sot deputetët kanë ardhë por jo edhe ministrja”- tha Hoxha.

Pasi deputetët ia bën me dije se ministrja është në seancë, Hoxha tha se gëzohët kur ministrja është në seancë pasi sipas saj, debati nuk do të kishte kuptim.

“Atëherë, shumë mirë. Unë gëzohna kur vjen ministrja, mos u çuditni dhe mos qeshni, shumë mirë është. Prandaj edhe e kemi thirrë seancën. Faleminderit ministre që erdhe se debati nuk do kishte pasë kuptim që ne të flasim me njëri tjetrin, pa kërku përgjegjësi nga personi kryesor i cili merr vendime lidhur me çështjen e arsimit e në këtë rast me tekstet shkollore”- është shprehur ajo.

Më tej, Hoxha ka kritikuar ministren duke thënë se ka shkelur ligjin që është në fuqi për arsimin parauniversitar.

“Kemi të bëjmë me shkeljen e ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore si dhe ligji që është në fuqi për arsimin parauniversitar. Të gjitha këto vendime paraqesin shkelje flagrante ligjore. Lista e shkeljeve dhe parregullsive është e gjatë”- u shpreh Hoxha.

Deputetët e Kuvendit po zhvillojnë debat parlamentar “lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet javën e kaluar pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.

Këtë vit, tekstet shkollore janë blerë nga prindërit për dallim nga vitet paraprake që janë siguruar e shpërndarë nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit.

Mjetet për blerjen e librave do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, e cila javën e kaluar ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Ky proces është përcjell nga një debat i gjerë publik.