Dy të Arrestuar për Plagosjen e Dëshmitarit të Fajdeve

Policia në Prizren njoftoi se arrestoi dy persona të dyshuar për plagosjen e një dëshmitari të gjyqit për fajde.

“Në vazhdën e hetimit të rastit të vrasjes në tentativë që pati ndodhur me datën 11 janar, ku në një punëtori në rrugën ‘Aleksandër Fleming’  u plagos nga arma e zjarrit një qytetar (viktimë e fajdeve) e më pas u lëndua edhe me sëpatë, sot janë bastisur dy lokacione dhe janë arrestuar dy të dyshuar,” tha zëdhënësi i Policisë Regjionale të Prizrenit Hazir Berisha.

Policia tregoi se nga bastisjet e kryera të dy lokacioneve u sekuestruan dëshmi që do t’i ndihmojnë hetimit.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmi materiale të cilat mund ta ndihmojnë hetimin. Po ashtu janë sekuestruar edhe një sasi fishekësh të armës së zjarrit,” bëri të ditur Berisha.

Sipas Berishës, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndalur nën masën e arrestit policor.

Dje KALLXO.com e intervistoi dëshmitarin e plagosur të gjyqit kundër 10 personave të akuzuar për fajde.

Dëshmitari i plagosur Ibrahim Kazazi duhej të dëshmonte dje në këtë gjykim, por dëshminë ia pamundësuan ata që e plagosën.

http://kallxo.com/ekskluzive-rrefehet-deshmitari-plagosur-gjyqit-per-fajde/