Deputetët Ndajnë Detyrat Para Takimit me Kolegët Evropianë

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim sot i kanë ndarë detyrat dhe përgjegjësitë të cilat do t’i kenë në takimin e parë parlamentar të përbashkët mes Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Në këtë Komision detyrat u ndanë për pozitën e opozitën, mirëpo në takim nuk ka marrë pjesë vetëm Lëvizja Vetëvendosje, përderisa deputetët e AAK-së dhe Nismës për Kosovën ishin prezentë.

“Është themeluar Komision parlamentar i përbashkët i Parlamentit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian dhe është hera e parë që ne po përgatitemi për një seancë të përbashkët mes këtij komisioni të përbashkët që është një mini-parlament miks dhe ky Komision është i përbërë nga 13 deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe 13 të Parlamentit Evropian”, ka thënë Xhavit Haliti, i cili e ka kryesuar Komisionin.

Sipas tij, më 16 dhe 17 maj mbahet kjo mbledhje e parë e përbashkët.

Qëllimi i takimit të Komisionit, tha Haliti, ishte përgatitja e anëtarëve për temat që do të trajtohen.

“Jemi të përgatitur si pozitë, si opozitë, si përfaqësues të komuniteteve të tjera në Kosovë. Sot i ndamë detyrat të gjithë së bashku. Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk erdhën sot, shpresoj që me largimin e z. Deda do ta caktojnë përfaqësuesin e tyre në Komision dhe do të vazhdojmë me takime të përbashkëta në interes të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në BE”, u shpreh Haliti.

Sipas tij, në këtë takim do të diskutohet nga këndvështrimi i pozitës, i opozitës dhe këndvështrimi i komuniteteve pakicë që janë në Kosovë që do të kenë nga 5 deri në 10 minuta kohë secili këndvështrim.

“Ne e kemi ftuar edhe kryeministrin Isa Mustafa dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, përfaqësues të niveleve të larta të Parlamentit Evropian”, tha Haliti.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se i kanë marrë përgjegjësitë e tyre dhe janë dakorduar që të jenë sa me unikë.

“I morëm përgjegjësitë edhe pozita edhe opozita që në tema të caktuara të kenë përfaqësuesit ligjërues dhe u dakorduam që të bëhemi unikë sepse është interesi i shtetit të Kosovës, u shpreh Lekaj.

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim të parë të përbashkët janë: Gjendja aktuale e marrëdhënieve BE – Kosovë, shkëmbimi i pikëpamjeve i Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, dialogu politik dhe funksionimi i institucioneve demokratike, marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal duke përfshirë dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillimi ekonomik në lidhje me sundimin e ligjit, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit, fuqizimi i rinisë dhe anti-radikalizmi, dialogu social, shëndetësia dhe arsimi, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht e grupeve në nevojë dhe pluralizmi i mediave.