Ambasada amerikane dhe MKRS nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për lokalitetin arkeologjik në Dresnik

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për lokalitetin arkeologjik të Dresnikut.

Ky memorandum i cili u nënshkrua në MKRS, paraqet hapin e parë drejt ruajtjes dhe promovimit të këtij lokaliteti arkeologjik.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku tha pas nënshkrimit të memorandumit, se projekti: Ruajtja e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut, është përzgjedhur një nga 6 projektet nga rajoni i Evropës dhe Euro-Azisë, për t`u financuar nga Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Nëpërmjet këtij fondi, në bashkëpunim me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, do të zhvillohet dokumentimi dhe plani i menaxhimit dhe i konservimit të këtij lokaliteti të rëndësishëm. Ruajtja dhe menaxhimi adekuat i këtij lokaliteti do të mundësojë qasjen e publikut, ruajtjen e dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm, duke mundësuar kështu promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore për publikun vendor dhe vizitorët e huaj”- tha ministri Çeku.

Ndërsa, ambasadori Hovenier tha se Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore është i përkushtuar ta mbështesë këtë lokacion si një prej vetëm 6 projekteve të zgjedhura në rajonin e Evropës dhe Euro-Azisë, dhe vetëm një prej 28 projekteve të zgjedhura në mbarë botën.

“Jam entuziast të ndaj me ju se ky fond është i përkushtuar ta mbështesë këtë lokacion (Dresnikun) si një prej vetëm 6 projekteve të zgjedhura në rajonin e Evropës dhe Euroazisë, dhe vetëm një prej 28 projekteve të zgjedhura në mbarë botën. Ky ishte një proces shumë konkurrues, por s’kisha fare dyshim se kolegët dhe partnerët do ta kuptonin rëndësinë e kësaj pune”- ka thënë ndër të tjerash ambasadori Hovenier.

Gërmimet në Dresnik (Klinë) nisën në 2012, me gjetjen e një lokaliteti arkeologjik me vlerë të madhe jo vetëm për Kosovën. Hulumtuesit e parë në bazë te gjetjeve epigrafike vërtetuan për ekzistencën e një vendbanimi të rëndësishme antik me statusin administrativ të Municipumit.