Nga një konferencë e Valdete Bajramit dhe Pal Lekajt| Foto: KALLXO.com

AAK e Nisma: E Kotë Ftesa e Thaçit

AAK e Nisma ftesën e Presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar për reformën zgjedhore e quajnë të kotë e ikje prej temës aktuale që sipas tyre janë zgjedhjet e parakohshme.

Madje ata inkurajojnë Thaçin që liderët t’i thërrasë në takim për t’u dakorduar për këto zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj tha se kjo ftesë po bëhet për të përfituar në kohë e qeverisë t’i zgjatet jeta.

Ai shtoi se ata as nuk kanë marrë pjesë e as nuk do të marrin pjesë në këto takime.

“Vendit i duhen zgjedhjet, jo reformë për të përfituar në kohë. Ne kemi pritur që z. Thaçi t’i thërrasë liderët që të dakordohemi për zgjedhje të parakohshme,” tha ai.

Presidenti Thaçi, dje pas homazheve që bëri te vendi ku në vitin 1989 u vranë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu tha se nuk ka marrë ndonjë kërkesë për zgjedhje.

http://kallxo.com/thaci-ska-kerkesa-per-zgjedhje/

Lekaj komentoi edhe propozimet që sot i bëri Thaçi për zvogëlimin e numrit të deputetëve e përfaqësimin e malazezëve e kroatëve në Kuvend.

“E dëgjova kur tha se duhet të zvogëlohet numri i deputetëve. Me siguri ka mendu që më shumë numër të ketë qeveria, e tani po do që qeveria të ndikojë në parlament. Edhe për kroatët e malazezët është mirë që të jenë gjithëpërfshirës, por ku e la diasporën. Duhet të ketë vende të rezervuara edhe për diasporën,” tha ai.

Thaçi në takimin e sotëm për reformën zgjedhore tha se numri i deputetëve mund të zvogëlohet nga 120 në 100, por për këtë deklaroi se duhet të pajtohen partitë politike.

Ndërsa Valdete Bajrami shefe e grupit parlamentar të Nismës tha se marrja pjesë e opozitës do të ishte gabim i rëndë dhe se ajo nuk do të bëhet pjesë e këtyre lojërave.

Takime për reformën zgjedhore ishin mbajtur pa rezultat edhe në vitin 2013. Për dështimin e tyre Vladete Bajrami e fajësoi direkt Presidentin Thaçi.

Ajo tha se “Thaçi në krye të PDK në atë kohë ka qenë penguesi për mos me përfunduar kjo reformë zgjedhore”

“Për ta bërë këtë reformë funksionale duhet të paktën një vit. Ata kanë qëllim të përfitojnë në kohë e t’ia zgjasin jetës qeverisë. Nuk do të bëhemi pjesë e lojërave të tyre. Jemi për reformë zgjedhore, por jo me këtë legjislaturë,” tha deputetja Bajrami.

KALLXO.com ndoqi sot takimin e Thaçit për reformën zgjedhore me subjektet politike pa opozitën.

http://kallxo.com/thaci-reforma-te-permbyllet/