Thaçi: Nga marrëveshja përfundimtare përfitojnë dy vendet dhe rajoni

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, se janë dakorduar që procesi i dialogut të marrë dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme.

Në një konferencë për media, Thaçi tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare është në interes të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë dhe të paqes dhe normalitetit në rajon.

Ai tha se nga një marrëveshje e tillë do të përfitonin të dyja palët.

Thaçi shtoi se gjatë ditës së sotme është diskutuar arritja e një marrëveshjeje, e cila është e pranueshme edhe për popullin e Kosovës edhe për atë të Serbisë.

“Sot kemi diskutuar si të arrijmë  një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshjeje. Duhet të shikojmë kah e ardhmja europiane dhe jo nga e kaluara”, shtoi ai.

Presidenti i Kosovës tha se e di që nuk është e lehtë të zgjidhen problemet e grumbulluara nga një konflikt njëshekullor, por se pozita gjeografike dhe kulturat na imponojnë arritjen e një marrëveshjeje për fqinjësi të mirë.

Ai tha se shpreson se ky është momentumi për arritjen e marrëveshjes dhe se nëse humbet ky momentum do të humbin të dy vendet dhe “do të paguajmë çmim të lartë”.

“Me marrëveshje do të mund të fitojmë shumë të dy palët, e pa marrëveshje do të humbim shumë po ashtu të dy palët”, shtoi presidenti Thaçi pas takimit të zhvilluar në Bruksel me homologun e tij serb, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Çështja kryesore e diskutuar sipas Thaçit ishte rruga drejt Bashkimit Europian.