Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Thaçi kërkon ‘dialog social’ por hesht nëse ka gisht në grevën në arsim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të angazhohet për një ‘dialog social’ me sindikalistët e arsimit.

Kur arsimtarët kanë hyrë në ditën e shtatë të grevës së përgjithshme në kërkim të rritjes së pagave, Presidenti ka kërkuar nga palët që të ulen e të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.

Por ai nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse ka gisht në grevën e mësimdhënësve.

“Unë i kuptoj vendimet e qeverisë së Kosovës, respektoj të drejtën për protestë dhe grevë por i inkurajoj palët për dialog social. Jam kundër veprimeve të njëanshme”, tha Thaçi në konferencë për shtyp.

“Unë me ata njerëz kam punuar gjatë, i njoh janë njerëz të mirë. Kur të ulesh merresh vesh me ta”, tha Thaçi.