Twitter do t`i pushojë nga puna një numër të madh punonjësish

Punonjësit po përgatiten për lajme të këqija pasi kanë marrë një memorandum në lidhje me reduktimet e vendeve të punës, me çdo punëtor të dytë që raportohet se rrezikon të pushohet nga puna. Elon Musk tashmë i ka shkarkuar drejtuesit kryesorë që kur bleu gjigantin e mediave sociale.

Gjigandi i mediave sociale Tëitter i ka thënë stafit të saj përmes një mesazhi të brendshëm se punonjësit do të njoftohen për “rolin e tyre në Tëitter” me një e-mail që do t’u dërgohet atyre të premten.

“Në përpjekje për ta vendosur Twitter-in në një rrugë të shëndetshme, ne do të kalojmë përmes procesit të vështirë të reduktimit të fuqisë sonë punëtore globale të premten”, thuhet në memorandumin e zbuluar.

Stafi do të mësojë për pushimet nga puna në orën 9 të mëngjesit me orën e Paqësorit të premten (1600 GMT), sipas mesazhit të dërguar.

Mediat amerikane raportuan se gjysma e punonjësve të Twitter janë në rrezik ta humbasin punën e tyre, duke arritur në rreth 3700 pozita në total.

Zyrat e Twitter do të mbyllen të premten, sipas memorandumit, me sa duket në një përpjekje për t’i parandaluar protestat.

Një grup punonjësish të cilët së fundmi ishin pushuar nga puna ngritën një padi kolektive kundër Tëitter të enjten. Ata po argumentojnë se nuk e kanë pranuar periudhën e njoftimit prej 60 ditësh të kërkuar nga ligji federal i Shteteve të Bashkuara dhe Kalifornia.

Shefi i ri

Punonjësit e kanë përshëndetur prej kohësh kulturën e hapur të korporatës së gjigantit të mediave sociale, mirëpo shkurtimet e vendeve të punës ishin pritur prej kohësh.

Shefi i ri i Twitter-it, miliarderi Elon Musk, e ka shpërndarë bordin e kompanisë dhe i ka shkarkuar menaxherët e saj të lartë menjëherë pasi ai përfundoi blerjen e tij prej 44 miliardë dollarësh (rreth 45 miliardë euro) javën e kaluar.

Musk, i cili gjithashtu është në pronësi të SpaceX dhe Tesla, ka qenë i zëshëm për dëshirën për të bërë ndryshime të mëdha në Twitter.

Ai aktualisht po përpiqet ta promovojë një shërbim abonimi, ku përdoruesit që paguajnë rreth 8 dollarë në muaj mund të kenë shenjën e verifikimit të “çekut blu” të Tëitter-it në profilin e tyre./Deutsche Welle

Përgatiti: Nuhi Shala