Shkencëtarët sugjerojnë futjen e një drite shtesë në semafor

Një dritë shtesë në semafor do të kishte kuptim pasi të ketë më shumë automjete autonome në rrugë dhe përdorimi i saj do të përshpejtonte qarkullimin e automjeteve dhe madje do të kursente karburantin.

Kur ose nëse automjetet autonome [një makinë vetë-drejtuese, makinë pa shofer ose makinë robotike, është një makinë që është e aftë të udhëtojë pa kontributin e njeriut] shndërrohen në një pamje të zakonshme në rrugë, disa gjëra duhet të ndryshojnë. Së pari, njerëzit duhet të mësohen me disa nga karakteristikat e tyre të vozitjes, por edhe infrastruktura duhet të përshtatet me mjete të tilla.

Një nga këto rregullime të mundshme mund t’i referohet edhe semaforëve, pra futjes së dritave shtesë në semaforë që mund ta përshpejtojnë trafikun dhe kalimin e automjeteve nëpër kryqëzime. Të paktën kështu tregojnë simulimet e shkencëtarëve të Universitetit të Karolinës së Veriut, në të cilat pjesa e automjetit që lëvizte në rrugë virtuale ishte autonome.

Sipas propozimit të shkencëtarëve, kur një numër i madh automjetesh autonome i afrohen kryqëzimit, kjo dritë e re do të ndizet në semafor, duke i informuar të gjithë përdoruesit e rrugës se semafori është në koordinim me automjetet autonome dhe teknologjinë. Kur kjo dritë ndizet, nuk do të jetë një sinjal për vozitësit që të ndalojnë, të ngadalësojnë ose të ngjashme, por të ndjekin automjetin autonom përpara tyre. Pra, nëse futet në kryqëzim, duhet ndjekur dhe nëse ndalon, duhet të ndalojnë edhe automjetet pas saj. Ajo dritë, pra, është vetëm një njoftim për drejtuesit e automjeteve se teknologjia që i kontrollon semaforët komunikon me automjetet që kontrollohen nga kompjuterët dhe së bashku e koordinojnë lëvizjen nëpër kryqëzime, në mënyrë që ajo të jetë sa më e shpejtë dhe pa ndalesë.

Kur numri i automjeteve autonome bie nën një përqindje të caktuar, drita do të fiket dhe automjetet do të duhet t’i respektojnë rregullat klasike të trafikut.

Simulimet e deritanishme kanë rezultuar në më pak pritje nëpër semaforë dhe konsum më të ulët të karburantit, dhe këto shifra po përmirësohen me rritjen e përqindjes së automjeteve të drejtuara nga kompjuterët. Ndërkohë që kjo përqindje është midis 10 dhe 30 përqind, ka pasur më pak përmirësim në rrjedhshmërinë e trafikut dhe ulje të pritjes, por nëse numri i automjeteve autonome është edhe më i lartë, koha e pritjes në kryqëzim mund të reduktohet deri në 90 përqind.

Të gjitha këto rezultate, pra, janë marrë në bazë të simulimeve, dhe për të qenë të sakta, është e nevojshme të kryhen teste në kushte reale./Tech Spot