VIDEO - Operacioni ‘Semafori’, Policia gjobit ata që kalojnë në të kuqen

Cak i planit operativ “Semafori”, i zbatuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, sot kanë qenë qytetarët që nuk respektuan dritën e kuqe të semaforit.

Policë civil e me uniformë të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor në kryeqytet gjatë patrullimit arritën që të identifikojnë kundërvajtësit të cilët vazhdonin vozitjen e tyre ani pse nga tre ngjyrat e semaforit e kuqja ishte e ndezur.

Të vendosur afër semaforëve ishin policët civil. Këta të fundit përmes fotografive njoftonin policët në uniformë që ishin të vendosur në një pikën tjetër se cila veturë nuk respektoi dritën e kuqe të semaforit.

Rreshteri Arsim Gollubovci, mbikëqyrësi i trafikut në Prishtinë ka thënë se qëllimi i një operacioni të tillë është numri i madh i aksidenteve.

“Kemi shumë raste të cilat po na ndodhin aksidente, kështu që kemi vlerësuar që është një mënyrë e mirë e planit të veprimit të këtë aspekt”, tha ai për KALLXO.com.

Ndonëse qëllimi i këtij operacioni ishte që të identifikoheshin personat që nuk respektonin rregullat e semaforit, pati edhe raste ku u kapën vozitës të cilët u dënuan për kundërvajtje tjera.

“Përpos këtyre kundërvajtjeve ne kemi has edhe në kundërvajtje tjera, përpos semaforit është edhe pa regjistrimi i  automjetit, po ashtu kundërvajtja tjetër është ndërrimi i shiritit”, tha Gollubovci.

Sipas Gollubovcit operacioni “Semafori” ka filluar këtë javë, mirëpo nuk dihet se kur do të përfundoj.

Ai tha se ky plan operativ do të vazhdojë. Tutje shtoi se tolerimi ndaj rasteve të tilla do të jetë zero.

“Varësisht prej situatës në qoftë se shohim se kemi kundërvajtës që nuk vetëdijesohen lidhur më këtë aspekt ne do të vazhdojmë. Ne do të vazhdojmë me këtë plan dhe do të kem tolerimi zero ndaj këtyre kundërvajtjeve”, vazhdoi Gollubovci.

Gollubovci shtoi se planet operative të Policisë nuk do të ndalen vetëm në mos respektim të semaforit.

Sipas rreshterit Policia do të vazhdojë dhe me plane tjera operative ku do të identifikoj kundërvajtës të veprave të ndryshme.

Policia duke shqiptuar gjobë, Foto: KALLXO.com