Citroen prezanton konceptin e një veture elektrike me një dizajn të pazakontë

Koncepti më i fundit inovativ i Citroen përfaqëson një veturë elektrike ‘të çuditshme’, e cila përdor panele kartoni dhe materiale të tjera të lehta që mund të riciklohen, në një përpjekje për ta reduktuar presionin mbi burimet globale.

Citroen Oli është një veturë plotësisht elektrike me një dizajn “këndor” shumë të pazakontë.

Disa thonë se kjo u kujton atyre një qenush të lezetshëm me sy të mëdhenj. Ka një platformë mallrash në pjesën e pasme për ngritjen e ngarkesave dhe rrota mjaft të mëdha dhe të qëndrueshme Goodyear që duhet të zgjasin 80,000 km. Peshon vetëm 1000 kg. Bateria e saj ka një kapacitet prej vetëm 40 kWh, por edhe një distancë marramendëse prej 400 km.

Qëllimi i konceptit të ri të Citroen është të tregojë se veturat plotësisht elektrike nuk duhet të jenë shumë të shtrenjta.

“Ne në kompani besojmë se elektrifikimi nuk duhet të jetë shumë i shtrenjtë dhe ndërgjegjësimi mjedisor nuk duhet të jetë një ndëshkim që do ta kufizojë lëvizshmërinë tonë”, tha drejtori i Citroen, Vincent Cobée.

Partneri i projektit të Citroen, gjigandi gjerman kimik BASF, shpjegoi se modeli Oli ofron shumë “zgjidhje për të kursyer burime dhe për të realizuar një ekonomi rrethore”.

Kapaku i sheshtë, çatia dhe panelet mbajtëse të ngarkesës së pasme u zgjodhën pikërisht për ta përmbushur objektivin e peshës së ulët, forcës së lartë dhe qëndrueshmërisë maksimale të veturës, tha Citroen.

Pjesët janë bërë në bashkëpunim me BASF nga kartoni i ricikluar i valëzuar i formuar në një strukturë sanduiçi me huall mjalti që është vendosur midis paneleve përforcuese me tekstil me fije qelqi. Ato janë të veshura me një shtresë mbrojtëse të rrëshirës së fortë, me teksturë.

Çmimi i tij do të jetë rreth 25,000 euro. Modeli Oli i pazakontë ndoshta do të ndihet më së miri në një mjedis urban, ku do të mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 110 km/h. Rimbushja e baterisë nga 20 në 80 për qind zgjat vetëm 23 minuta, sipas Citroen./Dnevnik.hr